Më 8 maj 2026, GenVox ka organizuar trajnimin online për të rinjtë dhe studentët e gazetarisë, me fokus në raportimin mbi çështjet mjedisore dhe zhvillimin e qëndrueshëm.
Trajnimi është realizuar në kuadër të projektit “GenVox Green Corner: Empowering Youth for Sustainable Development”, pas thirrjes së hapur për studentët e gazetarisë, komunikimit dhe të rinjtë e interesuar për gazetari dhe çështje mjedisore.
Gjatë trajnimit, pjesëmarrësit kanë pasur mundësi të zhvillojnë njohuritë dhe shkathtësitë e tyre për raportimin mjedisor, ndërtimin dhe zhvillimin e një storie gazetareske, hulumtimin, si dhe verifikimin e informacionit dhe burimeve.
Një pjesë e rëndësishme e trajnimit i është kushtuar mënyrës se si çështjet që lidhen me mjedisin dhe zhvillimin e qëndrueshëm mund të trajtohen përmes gazetarisë, duke nisur nga identifikimi i problemit dhe gjetja e këndit të raportimit deri te përdorimi i burimeve relevante dhe realizimi i artikullit.
Pas përfundimit të trajnimit, pesë studentë do të përzgjidhen për të realizuar artikuj gazetaresk, duke kaluar nga njohuritë e fituara gjatë trajnimit në punë praktike. Studentët e përzgjedhur do të mbështeten me mentorim gjatë procesit të hulumtimit dhe shkrimit, ndërsa artikujt e përfunduar do të publikohen në platformën GenVox.
Temat e artikujve do të lidhen me katër fusha kryesore: energjinë e përballueshme dhe të pastër, qytetet dhe komunitetet e qëndrueshme, konsumin dhe prodhimin e përgjegjshëm dhe veprimin për klimën.
Përmes këtij aktiviteti, GenVox synon t’u krijojë të rinjve mundësi për të fituar përvojë praktike në gazetari dhe njëkohësisht të nxisë raportimin për çështje mjedisore që ndikojnë drejtpërdrejt në komunitetet e tyre.
“GenVox Green Corner: Empowering Youth for Sustainable Development” synon të fuqizojë të rinjtë si zëra aktivë në adresimin e sfidave mjedisore dhe të krijojë më shumë hapësirë për gazetari që informon, angazhon dhe nxit ndryshim.
Ky projekt është bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian, në kuadër të Rrjetit YouthHub WB&T, si dhe është vazhdimësi e projektit të mbështetur nga Global Youth Mobilization.

