More

    Ajri nën hijen e termocentraleve në Obiliq: Banorët mes shqetësimeve dhe shpresës

    “Shpesh vërehet tym dhe ajër i rënduar, veçanërisht në mëngjes”, thotë Elvira Bekteshi, banore e Obiliqit, komunës ku prej dekadash bashkëjetesa me termocentralet “Kosova A” dhe “Kosova B” është pjesë e përditshmërisë së qytetarëve.

    Për Bekteshin, ndotja nuk ndihet njësoj çdo ditë. Ka periudha kur situata është më e mirë, por edhe të tjera kur tymi, pluhuri dhe erërat që vijnë nga zona e termocentraleve bëhen më të pranishme.

    “Ndotja e ajrit në zonën ku jetoj do të përshkruhej si mesatare, por pak më e lartë gjatë periudhave kur termocentralet janë më aktive. Shpesh vërehet tym dhe ajër i rënduar, veçanërisht në mëngjes”, thotë ajo.

    Pamje të tilla u panë edhe gjatë kësaj vere, kur tym i zi nga termocentrali “Kosova A” ngriti sërish shqetësime për ndotjen e ajrit.

    Korporata Energjetike e Kosovës e lidhi tymin me procesin e startimit të njësisë A3 dhe sinkronizimin e saj me sistemin elektroenergjetik.

    “Ju njoftojmë se gjatë orëve të hershme të mëngjesit të sotëm në Termocentralin ‘Kosova A’ është zhvilluar procesi i startimit të njësisë A3 dhe sinkronizimi i saj me sistemin elektroenergjetik. Procesi i startimit është një procedurë standarde teknologjike dhe e domosdoshme operative në të gjitha termocentralet me linjit. Gjatë kësaj faze mund të paraqiten përkohësisht emisione më të theksuara nga oxhaqet, deri në stabilizimin e plotë të parametrave të punës së njësisë”, thanë nga KEK-u.

    Por të dhënat zyrtare tregojnë se çështja e emisioneve nga termocentralet nuk kufizohet vetëm në raste të tilla.

    Raportet e Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës kanë evidentuar tejkalime të normave të emetimeve nga “Kosova A” dhe “Kosova B”, veçanërisht sa i përket pluhurit.

    Sipas normave për shkarkimet në ajër nga burimet stacionare të ndotjes, kufiri për pluhurin është 20 mg/Nm³, ndërsa për dioksidin e squfurit, SO₂, dhe oksidet e azotit, NOx, është 400 mg/Nm³. Në raportin për vitin 2024, AMMK evidentoi tejkalime të kufirit të pluhurit në të dy termocentralet. Tejkalimet në “Kosova B” ishin dukshëm më të larta.

    Problem mbetet edhe monitorimi i këtyre emisioneve. Sipas AMMK-së, në njësitë A3, A4 dhe A5 të “Kosova A” janë instaluar pajisje për monitorimin e vazhdueshëm të emetimeve të pluhurit, por vlefshmëria e matjeve vihet në pikëpyetje për shkak të mirëmbajtjes jo të rregullt të pajisjeve.

    Në “Kosova B”, pajisjet për matjen e vazhdueshme të pluhurit, SO₂ dhe NOx nuk kanë qenë funksionale gjatë periudhës së raportuar, ndërsa emisionet janë përcaktuar përmes llogaritjeve.

    Të dhënat më të gjera për sektorin energjetik tregojnë se problemi vazhdon.

    Sipas Raportit të Zbatimit për Kosovën të Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, emisionet nga impiantet e përfshira në Planin Kombëtar për Reduktimin e Emisioneve u rritën gjatë vitit 2024 krahasuar me një vit më parë.

    Emisionet e SO₂ arritën në 11 mijë e 712 tonë, 11.6 për qind më shumë se në vitin 2023. Ato të NOx arritën në 16 mijë e 852 tonë, duke u rritur për 13.5 për qind, ndërsa emisionet e pluhurit arritën në 5 mijë e 605 tonë, apo 18.2 për qind më shumë se një vit më parë.

    Raporti më i fundit i Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, i publikuar në fund të vitit 2025, vazhdon ta rendisë mjedisin ndër fushat ku Kosova ka ende punë për të bërë në zbatimin e standardeve të Komunitetit të Energjisë.

    Ndërkohë, Ministria e Ekonomisë nuk është përgjigjur në pyetjet lidhur me këtë çështje.

    Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, pas episodeve të ndotjes nga termocentralet “Kosova A” dhe “Kosova B”, kishte kërkuar ndërmarrjen e masave afatshkurtra dhe urgjente.

    Ndër masat e përmendura ishin inspektimet më të shpeshta nga inspektorët e mjedisit, gjobat për tejkalimin e normave, transparenca nga KEK-u për të dhënat që lidhen me ndotjen e ajrit, si dhe modernizimi i pajisjeve ekzistuese.

    Sipas IKSHPK-së, sektori i energjetikës është përgjegjës për 40 për qind të emisioneve ndotëse të ajrit, ndërsa lirimi i tymit dhe pluhurit ndikon në rritjen e përqendrimit të grimcave në ajër.

    Pavarësisht të dhënave dhe shqetësimeve të ngritura nga institucionet, banorët e Obiliqit nuk e përjetojnë njësoj situatën.

    Rinesa Krasniqi, banore e kësaj komune, konsideron se gjendja është përmirësuar krahasuar me të kaluarën. Ajo thotë se investimet në filtra dhe gjelbërim kanë ndikuar në këtë drejtim, ndërsa meritat për një pjesë të këtyre ndryshimeve ia atribuon ish-kryetarit të komunës, Xhafer Gashi.

    “Me kryetarin Gashi ndotja në Komunën e Obiliqit ka qenë shumë e paktë pasi që ka mbjellë shumë pemë për ta thithur tymin nga termocentralet. Po, ka ndryshuar shumë. Kanë vendosur filtra”, shprehet Krasniqi.

    Të dhënat historike për cilësinë e ajrit tregojnë se në disa parametra ka pasur përmirësim ndër vite. Të dhënat e përfshira në Planin Zhvillimor Komunal të Obiliqit 2023–2031 tregojnë se mesatarja e PM2.5 kishte rënë nga 44.37 µg/m³ në vitin 2017 në 21.43 µg/m³ në vitin 2020. Në të njëjtën periudhë, PM10 kishte rënë nga 51.21 në 29.83 µg/m³.

    Megjithatë, këto të dhëna nuk nënkuptojnë se problemi i ndotjes është zgjidhur, veçanërisht përballë tejkalimeve të emisioneve të termocentraleve të evidentuara në raportet më të fundit.

    Edhe Bekteshi thotë se gjendja ka ndryshuar me kalimin e viteve, por përvoja e saj nuk është gjithmonë pozitive.

    “Po, mendoj se ndotja e ajrit ka ndryshuar me kalimin e viteve. Në disa periudha është përkeqësuar, sidomos për shkak të aktivitetit industrial dhe mungesës së masave të mjaftueshme mbrojtëse”, thotë ajo.

    Sipas saj, termocentralet nuk janë burimi i vetëm i ndotjes në Obiliq, por mbeten ndër burimet kryesore.

    “Herë pas here vërehen tym, pluhur dhe erëra të pakëndshme që vijnë nga zona e termocentraleve. Më e zakonshmja është pluhuri. Konsiderohet se termocentralet janë ndër burimet kryesore të ndotjes në Obiliq, edhe pse nuk janë të vetmet”, thotë Bekteshi.

    Ajo thotë se në familjen e saj të afërt nuk ka persona që kanë pasur probleme shëndetësore të lidhura me ndotjen, por njeh qytetarë që ankohen për vështirësi në frymëmarrje dhe alergji.

    Megjithatë, në mungesë të të dhënave shëndetësore specifike që do të krijonin një lidhje të drejtpërdrejtë ndërmjet këtyre problemeve dhe ndotjes nga termocentralet, përvojat e banorëve mbeten dëshmi individuale dhe jo dëshmi për një lidhje shkak-pasojë.

    Për Bekteshin, institucionet duhet të bëjnë më shumë.

    “Do të dëshiroja që autoritetet të investojnë në modernizimin e filtrave të termocentraleve, rritjen e monitorimit të ajrit e gjelbërim më të madh, s’ka mjaftueshëm. Ne si familje jo, por kemi dëgjuar se disa qytetarë kanë menduar shpërnguljen për shkak të ndotjes, sidomos familjet me persona me probleme shëndetësore. Ankesat më të mëdha lidhen me pluhurin e vazhdueshëm dhe ndikimin në shëndet”, përfundon ajo.

    Ulja e ndotjes së ajrit dhe përmirësimi i cilësisë së tij kanë qenë pjesë edhe e zotimeve politike për Obiliqin. Në fushatat zgjedhore janë përmendur modernizimi i kapaciteteve energjetike, zgjerimi i hapësirave të gjelbra dhe investimet në ngrohjen qendrore.

    Por raportet zyrtare vazhdojnë të evidentojnë probleme me emisionet dhe monitorimin e tyre. AMMK ka publikuar në qershor të këtij viti edhe Raportin Vjetor për Gjendjen e Ajrit 2025, ndërsa monitorimi i cilësisë së ajrit dhe emisioneve nga sektori energjetik vazhdon të mbetet pjesë e raportimit institucional.

    Për banorët që jetojnë nën oxhaqet e dy termocentraleve, ndërkaq, dallimi mes shifrave, premtimeve dhe realitetit matet çdo ditë sapo dalin nga shtëpitë.

    Autore: Nora Kelmendi 

    Ky artikull është bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e “Kosova Nexus Institute” dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian.

    Të fundit

    të tjera