More

    Prishtina po ndërtohet: A po humbet identiteti urban i kryeqytetit?

    “Kam jetuar në Lagjen e Muhaxherëve për tetë vjet. Kur erdha këtu kishte më shumë hapësirë, ndërsa sot shoh pallate pothuajse në çdo cep. Arkitektura e vjetër që e simbolizonte lagjen është zhdukur dhe gjithçka është betonuar.”

    Kështu e përshkruan transformimin e lagjes një banore e Muhaxherëve, e cila thotë se ritmi i ndërtimeve ka ndryshuar jo vetëm pamjen e zonës, por edhe mënyrën se si jetojnë banorët.

    Për të, mungesa e parkingjeve, hapësirave publike dhe këndeve të lojërave për fëmijë është bërë pjesë e përditshmërisë.

    Përvoja e saj pasqyron një debat që prej vitesh shoqëron zhvillimin e kryeqytetit. Në lagje si Prishtina e Re, Mati 1 dhe Muhaxherët, vinçat dhe kantieret e ndërtimit janë bërë pjesë e zakonshme e peizazhit urban, ndërsa ndërtesat e reja vazhdojnë të ndryshojnë fytyrën e qytetit.

    Prishtina vazhdon të zgjerohet. Rritja e popullsisë, kërkesa për banim dhe investimet në sektorin e ndërtimit kanë transformuar kryeqytetin me ritme të shpejta. Bashkë me këtë transformim janë shtuar edhe pyetjet se si po planifikohet zhvillimi dhe nëse po ruhet ekuilibri ndërmjet ndërtimeve të reja dhe nevojës për një qytet funksional për banorët.

    Debati nuk lidhet vetëm me ndërtimin, por edhe me atë që mbetet ndërmjet ndërtesave: a ka mjaftueshëm parqe, trotuare, hapësira publike dhe infrastrukturë për komunitetin? A po krijohen lagje ku njerëzit vetëm banojnë, apo hapësira ku mund të jetojnë me cilësi?

    Një qytet që vazhdon të rritet

    Pas viteve 2000, Prishtina ka kaluar një transformim të thellë urban. Migrimi i brendshëm, kërkesa për banim dhe zhvillimi i sektorit privat të ndërtimit kanë ndryshuar ndjeshëm strukturën e qytetit.

    Lagje të reja janë zgjeruar me shpejtësi, ndërsa zona dikur periferike sot janë pjesë aktive e jetës urbane. Bashkë me këtë zgjerim kanë ardhur edhe sfidat për infrastrukturën, trafikun, parkingjet dhe hapësirat publike.

    Presioni mbi qytetin shihet edhe përmes ndryshimeve demografike.

    Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Komuna e Prishtinës kishte 198 mijë e 897 banorë në regjistrimin e vitit 2011, ndërsa të dhënat e Regjistrimit të Popullsisë 2024 e çojnë numrin në rreth 227 mijë banorë. Kjo paraqet një rritje prej rreth 14 për qind në pak më shumë se një dekadë.

    Me rritjen e numrit të banorëve është shtuar edhe kërkesa për banim, por njëkohësisht edhe nevoja për transport, shkolla, parkingje, hapësira publike dhe shërbime të tjera urbane.

    Çfarë thonë dokumentet dhe studimet?

    Zhvillimi urban i Prishtinës nuk ndodh pa një kornizë planifikimi. Plani Zhvillimor Urban i kryeqytetit e vendos zhvillimin e qëndrueshëm ndër prioritetet e qytetit, duke theksuar nevojën për përdorim racional të tokës, zhvillim të infrastrukturës dhe ruajtje të cilësisë së jetës.

    Dokumentet e planifikimit dhe vlerësimit mjedisor gjithashtu e trajtojnë presionin që rritja e popullsisë dhe zhvillimi ndërtimor ushtrojnë mbi hapësirën urbane.

    Një nga çështjet kryesore në këtë debat janë hapësirat publike.

    Një vlerësim i UN-Habitat për Prishtinën ka evidentuar se rreth 31 për qind e territorit urban përbëhet nga hapësira publike të hapura, krahasuar me nivelin e rekomanduar prej 45 për qind. Kur nga kjo llogaritje përjashtohen rrugët dhe parkingjet, vetëm rreth 13 për qind e territorit urban mbetet e destinuar për hapësira publike të hapura.

    Këto të dhëna e vendosin debatin për zhvillimin urban përtej numrit të ndërtesave. Me rritjen e popullsisë dhe dendësimin e lagjeve, hapësirat që mbeten në dispozicion të qytetarëve marrin rëndësi gjithnjë e më të madhe.

    Edhe gjelbërimi është pjesë e këtij diskutimi.

    Një analizë për zhvillimin e gjelbër dhe reziliencën klimatike të Prishtinës, duke përdorur vitin 2020 si bazë, vlerësonte se zona urbane kishte rreth 3.45 kilometra katrorë hapësira të gjelbra, apo afërsisht 16 metra katrorë për banor. Sipas së njëjtës analizë, rreth 80 për qind e popullsisë jetonte në një distancë deri në 800 metra nga një hapësirë e gjelbër.

    Megjithatë, këto të dhëna i referohen vitit 2020 dhe nuk tregojnë gjendjen aktuale apo shpërndarjen e gjelbërimit në secilën lagje të Prishtinës.

    Në dokumentet strategjike për Prishtinën, zhvillimi i qëndrueshëm përmendet si një nga prioritetet kryesore. Ato synojnë të krijojnë një qytet më funksional, me më shumë hapësira publike, gjelbërim dhe infrastrukturë që i përgjigjet nevojave të qytetarëve.

    Por në praktikë, sfida mbetet e madhe: zhvillimi urban duhet të balancojë nevojën për banim me ruajtjen e hapësirave publike dhe cilësinë e jetës.

    Lejet e ndërtimit dhe ritmi i transformimit urban

    Ritmi i zhvillimit ndërtimor mund të shihet edhe përmes regjistrave publikë të Komunës së Prishtinës.

    Sipas regjistrave të Drejtorisë së Urbanizmit, gjatë vitit 2024 janë evidentuar 94 leje ndërtimore, ndërsa edhe në vitin 2025 numri ka arritur në 94. Në regjistrin e publikuar për vitin 2026 figurojnë deri tani 59 leje të lëshuara.

    Megjithatë, vetëm numri i lejeve nuk e tregon përmasën e zhvillimit ndërtimor. Një leje mund të përfshijë një objekt individual prej disa qindra metrash katrorë, por edhe komplekse shumëbanesore me dhjetëra mijëra metra katrorë.

    Në vitin 2025, për shembull, në regjistrin e Komunës figuron një leje për një kompleks shumëbanesor, afarist dhe administrativ në Matiçan me mbi 102 mijë metra katrorë sipërfaqe totale ndërtimore.

    Edhe regjistri i vitit 2026 përfshin projekte me përmasa të mëdha. Një prej lejeve të lëshuara për Matiçanin përfshin mbi 50 mijë metra katrorë sipërfaqe ndërtimore, ndërsa një tjetër mbi 38 mijë metra katrorë.

    Këto të dhëna e bëjnë më konkrete shkallën e transformimit që banorët e përshkruajnë në terren. Në lagjet ku ndërtohen komplekse të mëdha banimi, çështja nuk mbetet vetëm sa objekte të reja ndërtohen, por nëse rritja e dendësisë shoqërohet me rrugë, parkingje, trotuare, gjelbërim dhe hapësira publike të mjaftueshme për numrin në rritje të banorëve.

    Kur zhvillimi urban përballet me cilësinë e jetës

    Në Prishtinën e Re, Mati 1 dhe Muhaxherët, ndërtimet e shumta kanë ndryshuar dukshëm strukturën urbane gjatë viteve të fundit. Pallatet shumëkatëshe janë bërë pjesë e peizazhit, ndërsa në disa zona hapësirat ndërmjet tyre janë të kufizuara.

    Për banoren e Muhaxherëve, problemi më i madh mbetet mungesa e parkingjeve dhe mbingarkesa me ndërtime.

    “Ka ndërtime pa plan, pa kushte dhe pa kontroll të mjaftueshëm. Lagjja është mbingarkuar dhe kjo e vështirëson jetën e përditshme”, thotë ajo.

    Një tjetër shqetësim i saj lidhet me hapësirat për komunitetin.

    “Nuk ka parqe dhe as kënde lojërash për fëmijë. Lagjja ende ka disa zona me gjelbërim, por ato nuk janë të mjaftueshme për numrin e madh të banorëve dhe ndërtimeve të reja”, thotë ajo.

    Të dhënat e UN-Habitat për hapësirat publike i japin këtij shqetësimi një kontekst më të gjerë. Fakti që, pa rrugët dhe parkingjet, vetëm rreth 13 për qind e territorit urban llogaritet si hapësirë publike e hapur, tregon rëndësinë që ruajtja dhe krijimi i hapësirave të tilla ka në një qytet që vazhdon të rritet.

    Gjatë verës, raporti ndërmjet ndërtimeve dhe gjelbërimit merr edhe një dimension tjetër. Sipërfaqet e asfaltuara dhe të betonizuara absorbojnë nxehtësinë gjatë ditës dhe e lirojnë atë më vonë, duke krijuar zona më të nxehta brenda qytetit. Pemët dhe sipërfaqet e gjelbra mund të ndihmojnë në zbutjen e temperaturave lokale dhe përmirësimin e cilësisë së ajrit.

    Për banoren e Muhaxherëve, ajo që duhet të ndryshojë është pikërisht mënyra se si trajtohet hapësira ndërmjet ndërtesave.

    “Komuna duhet të lirojë trotuaret për këmbësorët, të mbjellë më shumë pemë dhe të kujdeset më shumë për pastërtinë dhe mirëmbajtjen e lagjes. Nëse vazhdohet me këtë ritëm ndërtimi, rrezikojmë ta humbasim plotësisht identitetin e Muhaxherëve”, thotë ajo.

    Institucionet pa përgjigje

    Për të siguruar një pasqyrë sa më të balancuar, për këtë reportazh janë dërguar pyetje në Drejtorinë e Urbanizmit të Komunës së Prishtinës lidhur me planifikimin urban, zhvillimin e lagjeve me ndërtime intensive, ruajtjen e hapësirave të gjelbra dhe zbatimin e planeve urbanistike.

    Po ashtu, është kërkuar intervistë me shkrim nga Asociacioni i Arkitektëve të Kosovës, me qëllim që në artikull të përfshihej edhe një vlerësim profesional për ndikimin e zhvillimit të shpejtë urban në identitetin e qytetit dhe cilësinë e jetës.

    Deri në publikimin e këtij artikulli, as Komuna e Prishtinës dhe as Asociacioni i Arkitektëve të Kosovës nuk kanë kthyer përgjigje.

    Megjithatë, dokumentet e planifikimit dhe të dhënat e organizatave që merren me zhvillimin urban tregojnë se sfida për Prishtinën nuk është vetëm të përballojë rritjen, por ta bëjë atë duke ruajtur hapësirën publike dhe funksionalitetin e qytetit.

    Ndërsa vinçat vazhdojnë të ndryshojnë horizontin e Prishtinës, për banoren e Muhaxherëve ndryshimi është shumë më konkret. Lagjja ku ajo erdhi të jetonte tetë vjet më parë kishte, sipas saj, më shumë hapësirë, më pak ndërtesa dhe një identitet tjetër.

    Sot, sfida nuk është ta ndalësh zhvillimin e qytetit, por të sigurohesh që, ndërsa ndërtohet Prishtina e re, të mos humbasë ajo që e bën qytetin të jetueshëm.

    Autore: Fjolla Demaku

    Ky artikull është bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e “Kosova Nexus Institute” dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian.

    Të fundit

    të tjera