More

    Lumi Nerodime në Kaçanik të Vjetër mbetet i ndotur, banorët presin zgjidhje

    Lumi Nerodime, një fenomen i veçantë natyror i njohur për bifurkacionin e tij të rrallë, ku ujërat ndahen drejt dy pellgjeve të ndryshme detare, po përballet me ndotje të vazhdueshme nga derdhja e ujërave të zeza në fshatin Kaçanik i Vjetër, në komunën e Kaçanikut. Banorët thonë se ndotja ka ndikuar në cilësinë e jetës së tyre, ndërsa kërkojnë ndërhyrje nga institucionet përgjegjëse.

    Sipas Fitore Krasniqit, banore e këtij fshati, ndotja e lumit ndikon drejtpërdrejt në jetën e saj të përditshme për shkak të aromës së rëndë që përhapet, sidomos gjatë verës.

    “Ndotja e Lumit Nerodime ndikon negativisht në jetën time të përditshme, sepse shkakton një aromë të rëndë dhe të pakëndshme, gjë që e pengon edhe qëndrimin jashtë, sidomos në stinën e verës”, tha ajo.

    Krasniqi shton se ajo dhe banorë të tjerë që jetojnë pranë lumit janë ankuar disa herë për aromën e keqe.

    “Po, jam ankuar disa herë, ashtu si edhe banorët e tjerë që jetojnë afër lumit, sidomos gjatë verës.”

    Ekologia Valentinë Uka thotë se ndotja mund të ndikojë edhe në fenomenin e bifurkacionit, duke rrezikuar biodiversitetin dhe cilësinë e ujit.

    “Hedhja e mbeturinave të ndryshme, mbetjet organike dhe cilësia e dobët e ujit dëmtojnë dhe rrezikojnë biodiversitetin ujor, madje mund të ndryshojnë kushtet natyrore të lumit. Ruajtja e bifurkacionit si një fenomen i rrallë dhe i veçantë kërkon jo vetëm mbrojtjen e rrjedhës së ujit, por edhe ruajtjen e cilësisë së tij.”

    Në korrik të këtij viti, përmes një postimi në Facebook, kryetari i Komunës së Kaçanikut, Sabedin Vishi, njoftoi se në kuadër të kontratës për mirëmbajtjen verore po vazhdonin punimet për pastrimin e shtratit të Lumit Nerodime.

    “Jemi të përkushtuar ndaj përmirësimit të vazhdueshëm të infrastrukturës dhe rregullimit të hapësirave publike, me synimin për të krijuar një mjedis më të pastër, më funksional dhe më cilësor për të gjithë qytetarët”, thuhet në postim.

    Sipas njoftimit të Komunës, bashkë me aktivitetet e tjera të pastrimit, është pastruar edhe një pjesë e shtratit të Lumit Nerodime, nga ura deri te Xhamia e Dëshmorëve në qytet.

    Drejtori i Drejtorisë për Urbanizëm, Kadastër dhe Mbrojtje të Mjedisit në Kaçanik, Korab Krasniqi, tha se ndotësi kryesor i Lumit Nerodime është Komuna e Ferizajt, për shkak të derdhjes së kanalizimeve në lumë.

    “Ndotësi më i madh i Lumit Nerodime është Komuna e Ferizajt, e cila bën derdhjen e kanalizimeve në Lumin Nerodime”, tha Krasniqi.

    Sipas tij, për zgjidhjen e problemit është nënshkruar një memorandum bashkëpunimi ndërmjet komunave të Kaçanikut dhe Ferizajt.

    “Komuna e Kaçanikut ka nënshkruar një memorandum bashkëpunimi me Komunën e Ferizajt. Ne kemi marrë përsipër të gjejmë lokacionin për ndërtimin e impiantit për trajtimin e ujërave të zeza, ndërsa Komuna e Ferizajt do t’i kompensojë pronarët. Më pas, Qeveria së bashku me donatorët ndërkombëtarë do të bëjë ndërtimin e impiantit”, tha ai.

    Krasniqi shtoi se Komuna e Kaçanikut tashmë e ka përfunduar pjesën e saj, duke caktuar lokacionin për ndërtimin e impiantit, ndërsa, sipas tij, akterët e tjerë duhet të përfundojnë obligimet e tyre.

    Përveç marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet komunave të Kaçanikut dhe Ferizajt, në Buxhetin e Kosovës për vitin 2026 janë paraparë edhe projekte kapitale që lidhen me përmirësimin e gjendjes së Lumit Nerodime.

    Sipas tabelës së projekteve kapitale për nivelin qendror, është planifikuar projekti “Trajtimi i ujërave të zeza përgjatë Lumit Nerodime nga fshati Gërlicë-Kaçanik”, me vlerë totale prej 2.7 milionë eurosh, prej të cilave për vitin 2026 janë paraparë 1.2 milionë euro.

    Gjithashtu, është planifikuar edhe projekti “Ndërtimi i shtratit të Lumit Nerodime Kaçanik”, me vlerë totale prej 4 milionë eurosh.

    Ndërkohë, Uka vlerëson se zgjidhja afatgjatë e problemit kërkon investime në impiante për trajtimin e ujërave të zeza.

    “Fillimisht duhet të ndalohet shkarkimi i drejtpërdrejtë i ujërave të zeza dhe mbeturinave në lumë. Gjithashtu, institucionet duhet të investojnë në zhvillimin dhe implementimin e impianteve për trajtimin e ujërave të zeza, duke ndikuar pozitivisht në uljen e nivelit të ndotjes”, tha ajo.

    Korab Krasniqi, i cili është edhe banor i fshatit Kaçanik i Vjetër, thotë se gjendja e lumit e vështirëson jetën pranë tij dhe zhvillimin e bujqësisë.

    “Momentalisht gjendja e Lumit Nerodime është e mjerueshme. Pjesa më e madhe e tij është e mbushur me ujëra fekale dhe, si pasojë, kundërmon, duke krijuar një ambient ku pothuajse është e pamundur të zhvillohet jeta pranë tij, e aq më pak bujqësia”, theksoi Krasniqi.

    Fitore Krasniqi vlerëson se ndër shkaktarët kryesorë të ndotjes janë hedhja e mbeturinave nga qytetarët dhe mungesa e mirëmbajtjes nga institucionet përgjegjëse.

    Ndërkaq, ekologia Uka thekson se edhe qytetarët kanë përgjegjësi në mbrojtjen e mjedisit.

    “Është e rëndësishme të organizohen fushata sensibilizuese për banorët, duke rritur vetëdijen dhe ndërgjegjësimin për mbrojtjen e mjedisit dhe resurseve natyrore. Bashkëpunimi ndërmjet institucioneve, organizatave joqeveritare dhe komunitetit është thelbësor”, tha ajo.

    GenVox ka dërguar pyetje edhe në Organizatën për Mbrojtjen e Mjedisit “Gjethi”, e cila vepron në komunën e Kaçanikut, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka marrë përgjigje.

    Autore: Erlida Mulaku

    Ky artikull është bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e “Kosova Nexus Institute” dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian.

    Të fundit

    të tjera