More

    Të rinjtë përballë tregut të punës: Papunësia mbetet sfidë në Kosovë

    Përfundimi i shkollimit për shumë të rinj në Kosovë nuk pasohet menjëherë me gjetjen e një vendi pune. Përvoja e kërkuar nga punëdhënësit, dallimi mes aftësive të fituara gjatë shkollimit dhe atyre që kërkon tregu, si dhe mundësitë e kufizuara për punën e parë, vazhdojnë ta vështirësojnë hyrjen e tyre në tregun e punës.

    Edhe pse papunësia e të rinjve ka rënë krahasuar me nivelet e disa viteve më parë, të dhënat tregojnë se ata vazhdojnë të jenë një prej grupeve që përballen me më shumë vështirësi për t’u punësuar.

    Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në tremujorin e fundit të vitit 2024 shkalla e papunësisë në vend ishte 10.9 për qind. Tek të rinjtë e moshës 15 deri në 24 vjeç, ajo ishte dukshëm më e lartë, 18.4 për qind.

    Megjithatë, papunësia nuk e tregon të gjithë problemin.

    Në të njëjtën periudhë, 30.9 për qind e të rinjve të moshës 15 deri në 24 vjeç nuk ishin as të punësuar, as duke ndjekur shkollim apo trajnim. Kjo kategori njihet si NEET.

    Pra, pothuajse një në tre të rinj të kësaj grupmoshe ndodhej jashtë punës, arsimit dhe trajnimeve.

    Edhe OECD e ka identifikuar këtë si një prej problemeve të tregut të punës në Kosovë. Në vlerësimin e saj për konkurrueshmërinë e Kosovës, organizata thekson se pjesëmarrja e të rinjve që nuk janë në punë, arsim apo trajnim mbetet rreth tri herë më e lartë se në Bashkimin Evropian.

    Diplomë, por jo domosdoshmërisht aftësitë që kërkon tregu

    Vështirësia për të gjetur punë nuk lidhet vetëm me numrin e vendeve të lira. Një problem tjetër është përputhja ndërmjet asaj që të rinjtë mësojnë dhe aftësive që kërkohen nga punëdhënësit.

    OECD vlerëson se mospërputhja e aftësive vazhdon të jetë problem në Kosovë. Sipas të dhënave të cituara prej saj, 26 për qind e punonjësve të rritur kanë deklaruar se kanë nivel më të lartë arsimor sesa kërkon pozita në të cilën punojnë. Organizata vëren gjithashtu se ekziston një ofertë e madhe e të diplomuarve në shkencat shoqërore, ndërkohë që ka kërkesë për të diplomuar në fushat STEM.

    Problemi shihet edhe nga ana e bizneseve. Në të dhënat e Bankës Botërore të cituara nga OECD, 44.2 për qind e kompanive të anketuara në Kosovë e kishin identifikuar fuqinë punëtore me aftësi të pamjaftueshme si pengesë të rëndësishme për konkurrueshmërinë e tyre. Të dhënat për Kosovën në këtë tregues i përkasin vitit 2019, por OECD vazhdon ta identifikojë mospërputhjen e aftësive si problem strukturor të tregut të punës.

    Kjo krijon një situatë në të cilën papunësia dhe mungesa e fuqisë punëtore me aftësitë e kërkuara mund të ekzistojnë në të njëjtën kohë.

    Për një të ri që hyn për herë të parë në tregun e punës, sfida bëhet edhe më e madhe kur një pozitë kërkon përvojë paraprake. Praktikat profesionale, trajnimet dhe puna e parë shndërrohen kështu në hallkën që duhet ta lidhë shkollimin me punësimin.

    Superpuna si përpjekje për punësimin e të rinjve

    Një prej masave që institucionet kanë ndërmarrë për ta lehtësuar këtë kalim është platforma Superpuna, e krijuar nga Qeveria e Kosovës në kuadër të skemës së Punësimit të Garantuar për të Rinjtë.

    Programi u dedikohet të rinjve të moshës 18 deri në 29 vjeç dhe synon t’i lidhë ata me punëdhënësit.

    Pas ndërmjetësimit të suksesshëm, Qeveria subvencionon pagën e të riut në vlerë prej 500 eurosh në muaj për gjashtë muaj. Punëdhënësit mund të jenë nga sektori privat, sektori publik apo organizatat joqeveritare. Sipas platformës, të rinjtë përfitojnë kontratë pune për së paku gjashtë muaj dhe mundësi për zhvillim profesional.

    Përveç subvencionimit të punësimit, Qendrat e Aftësimit Profesional ofrojnë edhe trajnime profesionale pa pagesë për punëkërkuesit.

    Kosova ka hartuar gjithashtu Planin e Zbatimit të Garancisë Rinore, i cili synon veçanërisht aktivizimin e të rinjve që nuk janë në punë, arsim apo trajnim. OECD ka vlerësuar se përgatitjet për zbatimin e tij janë hap pozitiv, por ka evidentuar edhe kapacitetet e kufizuara të shërbimeve publike të punësimit.

    A mjafton punësimi gjashtëmujor?

    Programet e subvencionimit mund t’ia hapin një të riu derën e parë të tregut të punës. Por një pyetje tjetër është se çfarë ndodh pasi subvencioni përfundon.

    OECD ka ngritur pikërisht problemin e matjes së rezultateve afatgjata të programeve aktive të tregut të punës. Në vlerësimin e saj, organizata ka konstatuar mungesë të të dhënave për rezultatet e pjesëmarrësve pasi këto programe përfundojnë.

    Kjo është e rëndësishme edhe për vlerësimin e politikave që synojnë të rinjtë. Numri i personave që përfitojnë nga një subvencion tregon sa të rinj kanë hyrë në program, por jo domosdoshmërisht sa prej tyre kanë arritur të krijojnë një vend të qëndrueshëm në tregun e punës.

    Sfida bëhet edhe më e madhe kur merret parasysh se ndryshimet teknologjike po krijojnë kërkesa të reja për aftësi.

    Më shumë se gjysma e të anketuarve nga Kosova në një studim evropian për vendet e punës dhe aftësitë, të cituar nga OECD, kanë thënë se do t’u duhet t’i zhvillojnë në masë të moderuar ose të madhe aftësitë e tyre digjitale për të kryer punën. OECD, megjithatë, vlerëson se mbështetja institucionale për zhvillimin e këtyre aftësive vazhdon të jetë e kufizuar.

    Për të rinjtë që sot përgatiten për punën e parë, kjo do të thotë se diploma mund të jetë vetëm një pjesë e përgatitjes. Aftësitë praktike, digjitale dhe profesionale po bëhen gjithnjë e më të rëndësishme për të konkurruar në treg.

    Mes statistikave dhe punës së parë

    Rënia e papunësisë së të rinjve krahasuar me vitet e mëparshme tregon një ndryshim pozitiv. OECD vëren se shkalla e papunësisë për këtë grup kishte rënë nga 49.4 për qind në vitin 2019 në 21.6 për qind në vitin 2022. Megjithatë, organizata paralajmëron se niveli i lartë i të rinjve jashtë punës, arsimit dhe trajnimit vazhdon të jetë problem serioz.

    Për këtë arsye, sfida nuk është vetëm krijimi i një mundësie të parë pune. Është edhe krijimi i kushteve që ajo mundësi të kthehet në përvojë, zhvillim profesional dhe punësim të qëndrueshëm.

    Për një pjesë të të rinjve në Kosovë, rruga nga shkolla apo universiteti deri te puna vazhdon të jetë e gjatë. Programet institucionale mund ta shkurtojnë këtë rrugë, por të dhënat tregojnë se ende mbetet një grup i madh të rinjsh që nuk kanë arritur të hyjnë as në tregun e punës dhe as në një formë tjetër të edukimit apo aftësimit.

    Ky artikull është bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e “Kosova Nexus Institute” dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian.

    Të fundit

    të tjera