More

    Prishtina zgjerohet, Gërmia dhe Badoci nën presionin e ndërtimeve

    Prishtina po zgjerohet gjithnjë e më pranë Parkut të Gërmisë dhe Liqenit të Badocit, dy prej zonave më të rëndësishme natyrore të kryeqytetit. Ndërsa shtëpitë, komplekset e banimit dhe rrugët po shtohen përreth tyre, dokumentet zyrtare paralajmërojnë prej vitesh për presionin që zgjerimi urban mund të ushtrojë mbi habitatet, biodiversitetin dhe burimet ujore. Por përtej asaj që shihet në terren, mbetet e paqartë se sa po kontrollohet ky zhvillim dhe kush po sigurohet që zgjerimi i qytetit të mos bëhet në kurriz të natyrës dhe ujit të pijshëm.

    Pamjet satelitore ndër vite e bëjnë të dukshëm zgjerimin e qytetit në të dyja drejtimet. Ndërsa ekspertët flasin për fragmentim të habitateve, zhurmë, humbje të vegjetacionit dhe rreziqe për burimet ujore, banorët që i frekuentojnë Gërminë dhe Badocin thonë se ndryshimin tashmë po e vërejnë edhe vetë.

    Për Bedri Hotin, i cili Gërminë e frekuenton për ecje dhe me familjen, problemi nuk fillon vetëm atëherë kur një ndërtesë afrohet pranë kufirit të parkut.

    “Gërminë e shfrytëzojmë shumë, sidomos për ecje dhe gjatë vikendeve me familje. Viteve të fundit po shihet që qyteti po zgjerohet në këtë drejtim. Ka më shumë ndërtime, më shumë trafik dhe më shumë zhurmë. Për mua Gërmia është ndër të paktat vende në Prishtinë ku mundesh me dalë prej qytetit pa shku larg. Prandaj nuk duhet me prit derisa ndërtesat të hyjnë brenda parkut për me thënë që kemi problem. Edhe çka ndërtohet përreth ka ndikim”, thotë Hoti.

    Të njëjtin ndryshim, por në anën e Badocit, e ka vërejtur Aurora Basha, banore e lagjes Mati 1, e cila prej vitesh e viziton liqenin. Ajo thotë se shtimi i ndërtimeve përreth po ia ndryshon edhe ndjesinë që dikur ia jepte kjo hapësirë.

    “Me jetu në Prishtinë është si me u fut në një ‘bubble’ betoni. Këtu s’ke hapësira të gjelbra, mungojnë parqet, fëmijët s’kanë hapësira ku me luajt mes vete. Por, siç po e shohim çdo ditë, kjo s’po iu mjafton as ndërtuesve, as Komunës së Prishtinës. Përveçse e kanë mbushur pothuajse çdo hapësirë me ndërtime, tash po ndërtohet edhe pranë liqeneve dhe zonave të mbrojtura. Si banore e Prishtinës, në lagjen Mati 1, e kam vizituar shpesh Liqenin e Badocit. Viteve të fundit, me shtimin e ndërtimeve përreth, edhe ajo pjesë ka filluar të mos ta japë më të njëjtën ndjesi të natyrës dhe gjelbërimit. Nuk duhet ta harrojmë se Prishtina furnizohet edhe me ujë nga ai liqen. Me gjithë ato ndërtime afër, si mund të jemi të sigurt se uji mbetet i pastër?”, thotë Basha.

    Shqetësimi se zgjerimi i qytetit mund të ushtrojë presion mbi Gërminë nuk është i ri.

    Në vitin 2015, Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Natyrës, në propozimin për rikategorizimin e Gërmisë, identifikonte zgjerimin e Prishtinës dhe të vendbanimeve përreth ndër aktivitetet njerëzore që po ndikonin në këtë hapësirë.

    Dokumenti evidentonte 610 lloje të florës vaskulare, 88 lloje kërpudhash, 51 likene dhe 14 myshqe. Në Gërmi ishin evidentuar gjithashtu 32 lloje shpendësh, 19 gjitarësh, shtatë zvarranikësh dhe pesë amfibësh.

    Por dokumenti përshkruante edhe një anë tjetër të Gërmisë. Faktori njeri identifikohej si shkaktari kryesor i ndryshimeve dhe dëmtimit të vegjetacionit autokton, ndërsa ndër presionet përmendeshin zgjerimi i qytetit dhe fshatrave përreth, zgjerimi i rrjetit rrugor, prerjet e pakontrolluara, gjuetia, ndotja e ajrit dhe zhurma.

    Për Jeta Berisha, aktivisten socio-mjedisore dhe drejtoreshë e “Habitat”, problemi nuk mund të matet vetëm duke parë nëse një objekt gjendet brenda apo jashtë vijës formale të një zone të mbrojtur.

    Ajo e konsideron ndikimin e ndërtimeve pranë zonave natyrore “serioz, kumulativ dhe potencialisht të pakthyeshëm”, sepse ndërtimi nuk përfundon me objektin. Me të vijnë rrugët, prerja e vegjetacionit, trafiku, zhurma, ndriçimi artificial, mbeturinat dhe ujërat e zeza. Kur projekte të tilla shtohen njëri pas tjetrit, sipas saj, duhet të vlerësohet ndikimi që prodhojnë së bashku dhe jo vetëm ndikimi i secilit projekt veçmas.

    “Në Gërmi nuk duhet të ndërtohet. Pikë. Statusi i saj si Peizazh i Mbrojtur nuk mund të përdoret për të negociuar shkallën e dëmit, por për ta parandaluar atë. Çdo objekt i ri, rrugë apo infrastrukturë që nuk i shërben drejtpërdrejt mbrojtjes dhe menaxhimit të zonës cenon habitatet, fragmenton ekosistemin dhe bie ndesh me arsyen për të cilën Gërmia është marrë nën mbrojtje.” – ka thënë ajo.

    Prof. Zeqir Veselaj, ambientalist dhe profesor universitar, i cili Gërminë e ka trajtuar edhe në disertacionin e tij të doktoratës, thotë se presioni urban prek drejtpërdrejt botën e egër.

    “Shtazët që jetojnë në Gërmi që jetojnë në këtë zone që të ikin apo largohen nga habitati i tyre janë të detyruara nga ndotja akustike (zhurmat) ashtu edhe ndotja optike (dritat), ndërtimi i rrugëve dhe shtigjeve për ecje, pastaj vrasjet e shtazëve nga automjetet.” – ka thënë ai.

    Sipas tij, rrugët dhe shtigjet e reja e fragmentojnë më tej habitatin dhe shtojnë edhe rrezikun që kafshët të goditen nga automjetet.

    Megjithatë, të thuhet me saktësi se sa biodiversitet është humbur kërkon diçka që, sipas Veselajt, mungon: monitorim të vazhdueshëm, teksa ka treguar zonat që po preken nga ndërtimet.

    “Gërmia me bukuritë e saj është atraktive për ndërtime. Për momentin nuk mund të them pasi me gjithë këto ndërtime nuk ka një hartë të qartë se nga po zhvillohen ato. Por sidoqoftë pjesa e parkut në të krahët e pishinës dhe pjesës rekreative (Sofalia dhe pjesa përballës saj) dhe pjesa e liqenit të Badocit duhet të jenë zonat e synuara për ndërtime dhe ku kufiri i zones së mbrojtura ka filluar të jetë shenjë e kalimit nëse e lejojnë institucionet.” – ka paralajmëruar ai.

    Edhe Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Natyrës, në përgjigjet për këtë hulumtim, pranon se ndërtimet pranë ose brenda zonave me vlera natyrore mund të shkaktojnë humbje dhe fragmentim të habitateve, shqetësim të faunës, ndotje dhe presion mbi burimet ujore.

    Por Instituti nuk ka vlerësuar nëse ndërtimet konkrete që po zhvillohen sot rreth Gërmisë janë duke shkaktuar këto pasoja. Për lejet, planifikimin urban dhe inspektimet, përgjegjësinë e drejton te Komuna e Prishtinës.

    Badoci nuk është vetëm peizazh

    Në anën tjetër të këtij zgjerimi urban ndodhet një burim jetik për qytetin.

    Liqeni i Badocit është një prej rezervuarëve që furnizojnë Prishtinën dhe rrethinën me ujë të pijshëm. Kapaciteti i tij maksimal është rreth 26 milionë metra kub ujë.

    Lidhja mes mbrojtjes së Gërmisë dhe Badocit ishte ngritur institucionalisht që në vitin 2015. Propozimi profesional për Gërminë rekomandonte zgjerimin e territorit të mbrojtur drejt jugut, në drejtim të Liqenit të Badocit, duke argumentuar se edhe hapësira përreth kishte vlera të ngjashme peizazhore dhe të biodiversitetit.

    Për Veselajn, funksioni i Badocit duhet të jetë pikënisja e çdo diskutimi për zhvillimin përreth tij.

    “Badoci nuk është objekt hidrologjik i adaptuar për ndërtime e rekreacion në brigjet e tij, por për të furnizuar me ujë banorët e Prishtinës, Graqanicës me fshatrave përreth. Kjo duhet të jetë edhe pikënisja e cfarëdo ndërhyrje potenciale në zonën e Badocit të cilat Ligji për mbrojtjen e natyrës dhe Ligji i ujërave i rregullojnë këto cështje. Cdo ndërtim që ndodh është një rrezik shtesë mjedisor për liqenin dhe ujin e tij, kështu që ato duhet të ndalohen e të largohen sa më shumë nga zona mbrojtëse e ujit.” – ka thënë ai.

    Edhe aktivistja socio-mjedisore Berisha paralajmëron se rreziku për një rezervuar uji nuk vjen vetëm nga ndotja e dukshme.

    Sipas saj, kanalizimi ose rrjedhjet nga gropat septike, vajrat, karburantet, detergjentët dhe substancat e tjera mund të arrijnë në sistemin ujor përmes tokës dhe ujërave sipërfaqësore. Ndërtimi mund të rrisë gjithashtu erozionin dhe sedimentet, ndërsa largimi i vegjetacionit dhe betonizimi i sipërfaqeve e zvogëlojnë aftësinë e tokës për ta thithur ujin.

    Për një rezervuar të ujit të pijshëm, thotë ajo, këto nuk janë vetëm çështje peizazhi. Në afat të gjatë mund të ndikojnë në cilësinë e ujit, rimbushjen e ujërave nëntokësore dhe koston e trajtimit të tij.

    “Ligji nr. 04/L-147 për Ujërat e Kosovës është i qartë. Neni 48 ndalon, ndër të tjera, deponimin e dheut, hedhjen e mbeturinave dhe shkarkimin e materieve në akumulime dhe brigjet e tyre. Ai ndalon edhe ndërtimin e objekteve që nuk shërbejnë për mbrojtje nga përmbytjet brenda së paku 30 metrave nga vija e ujërave të larta. Ky është minimum i përgjithshëm ligjor, jo leje automatike për të ndërtuar sapo të kalohet distanca prej 30 metrash.” – ka thënë ajo.

    E zgjerimi urban shihet edhe në mënyrën se si promovohen projektet e reja të banimit. Marigona Hill, kompleks rezidencial i ndërtuar me leje, e paraqet afërsinë me Gërminë dhe Badocin si një prej karakteristikave të lokacionit.

    Në materialet promovuese, Parku i Gërmisë paraqitet rreth 4.8 kilometra larg, ndërsa kompleksi përshkruhet si “afër Liqenit të Badocit dhe pranë mushkërive të qytetit të Prishtinës, parkut të Gërmisë”.

    Rasti nuk dëshmon shkelje, por tregon se afërsia me këto zona natyrore është kthyer edhe në vlerë për zhvillimin rezidencial.

    Për ambientalisten Jeta Berisha, shqetësimi qëndron te efekti i shumë ndërtimeve së bashku.

    Ajo thotë se zonat tampon nuk duhet të jenë vetëm vija në hartë, por të përcaktohen duke marrë parasysh habitatet, rrjedhjen e ujit, relievin dhe karakteristikat e tokës, teksa ka paralajmërim për gjendjen e ujit në Badoc.

    “Nëse vazhdon ritmi aktual, pasojat do të jenë: humbje dhe fragmentim i habitateve, zhdukje lokale e specieve më të ndjeshme, ndërprerje e korridoreve të lëvizjes së faunës, më shumë erozion dhe sedimentim në Badoc, përkeqësim i cilësisë së ujit, rritje e kostos së trajtimit të ujit, zvogëlim i infiltrimit dhe rimbushjes së ujërave nëntokësore, temperatura më të larta urbane dhe më pak kapacitet për përballimin e thatësirave dhe reshjeve ekstreme”, thotë ajo.

    Një projekt që nxori qytetarët kundër ndërtimeve

    Liqeni Badoci e ka kaluar një herë një debat të madh publik për ndërtimet pranë tij.

    Në janar të vitit 2020 u bë publik projekti “Lakeside Gardens”, i planifikuar të ndërtohet pranë liqenit.

    Në atë kohë, projekti nuk kishte leje ndërtimi. Komuna kishte lëshuar kushte ndërtimore, ndërsa Ministria e Mjedisit konfirmonte se nuk ishte lëshuar pëlqim mjedisor për projektin. Vetë kompania deklaronte se nuk do të fillonte punimet pa leje dhe se projekti ishte hartuar duke marrë parasysh mbrojtjen e liqenit.

    Debati publik që pasoi e ktheu Badocin në një prej rasteve më të dukshme të kundërshtimit qytetar ndaj zhvillimit rezidencial pranë një burimi të ujit të pijshëm.

    Në shkurt të atij viti, Ministria e Infrastrukturës dhe Ambientit mori vendim për anulimin e kushteve ndërtimore të projektit pranë liqenit.

    Rasti mbeti një shembull se një projekt mund të kalojë disa hapa institucionalë përpara se ndikimi i tij potencial në një zonë të ndjeshme të bëhet çështje e madhe publike.

    Kur një leje për Gërminë përfundoi në gjykatë

    Edhe në Gërmi, një vendim i Komunës për një projekt brenda Peizazhit të Mbrojtur përfundoi në gjykatë.

    Në gusht të vitit 2020, Komuna e Prishtinës kishte lëshuar leje mjedisore komunale për projektin “Parku i Aventurave”. Vendimi u kundërshtua nga Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike dhe organizata “Qytetarët Aktiv”.

    Gjykata Themelore e anuloi lejen. Sipas vendimit të raportuar publikisht, leja ishte lëshuar pa raport të Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis dhe në kundërshtim me bazën ligjore përkatëse. Komuna e apeloi vendimin.

    Në maj të vitit 2026, Gjykata e Apelit e hodhi poshtë ankesën e saj si të palejuar, duke e lënë në fuqi rezultatin e Gjykatës Themelore.

    Për Berishën, raste të tilla ngrenë pikëpyetje edhe për mënyrën se si funksionon vetë Vlerësimi i Ndikimit në Mjedis.

    “Problemi kryesor është konflikti strukturor, p.sh: investitori e zgjedh dhe e paguan hartuesin e VNM-së, ndërsa institucioni që duhet ta kontrollojë raportin shpesh nuk ka staf të mjaftueshëm të specializuar. Kështu, VNM-ja rrezikon të shndërrohet nga mekanizëm mbrojtës në arsyetim teknik për miratimin e projektit.”

    “Ligji nr. 08/L-181 përcakton detyrimet ligjore, por cilësia nuk garantohet vetëm nga ekzistenca e raportit. Duhet verifikuar metodologjia, burimi i të dhënave, pavarësia e ekspertëve dhe saktësia e përfundimeve. Raportet e mangëta duhet të refuzohen, ndërsa hartuesit duhet të mbajnë përgjegjësi profesionale dhe ligjore.” – ka thënë ajo.

    Ndërsa, Veselaj thotë se pragu duhet të jetë edhe më i lartë kur bëhet fjalë për zona të tilla.

    “Ligji për VNM trajton çdo aspect të ndikimit të mundshëm në mjedis përfshirën ndikimet në biodiversitetin e zones ku do të realizohet një project investiv që kërkon pëlqimin mjedisore sipas kërkesave ligjore. Por këtu janë dy aspekte problematike: e para- cilësia e raporteve të VNM-së mbi të cilat jepet pëlqimi mjedisor gjë për të cilën secili Raport i Progresit të BE-së për Kosovën ka dhënë vërejtje dhe dyta- respektimi i kushteve të pëlqimit mjedisor dhe lejes që në praktikë rrallë ndodh. Për zonat e mbrojtura si Gërmia dhe në trupat ujor si Badoci kushtet për pëlqime mjedisore edhe nëse ato jepen duhet të jenë edhe më strikte në kërkesat dhe respektimin e tyre. Sepse bëhet fjalë për resurse natyrore që mund të kenë pasoja të rënda e në raste edhe të pakthyeshme.” – ka thënë Veselaj.

    Një qytet me histori të gjatë të ndërtimeve pa leje

    Problemet me kontrollin e ndërtimeve në Prishtinë nuk janë të reja.

    Sipas të dhënave, në periudhën nëntor 2014–qershor 2015, Sektori i Legalizimit i Komunës kishte evidentuar 46,523 ndërtime pa leje në territorin e kryeqytetit.

    Ndërkaq, një auditim i Zyrës Kombëtare të Auditimit për procesin e ndërtimeve të larta në Prishtinë gjatë viteve 2021–2023 gjeti mangësi nga faza e dhënies së lejes deri te certifikata e përdorimit.

    Në rastet e audituara, sipërfaqja e lejuar në leje krahasuar me kushtet ndërtimore ishte tejkaluar deri në 56 për qind, që në disa raste përkthehej në tri deri në pesë kate më shumë. Ndërkohë, vetëm 15 për qind e lejeve të ndërtimit të lëshuara gjatë viteve 2017–2021 kishin përfunduar me certifikatë përdorimi. ZKA evidentoi gjithashtu mungesë të inspektimeve të mirëfillta dhe të rregullta dhe shpërndarje joproporcionale të lëndëve mes inspektorëve.

    Pikërisht këtu bëhet e rëndësishme të dihet se çfarë po ndodh në zonat përreth Gërmisë dhe Badovcit: sa leje janë dhënë, sa kërkesa janë refuzuar, çfarë kushtesh mjedisore janë vendosur dhe sa prej tyre janë kontrolluar në terren.

    Por këto të dhëna Komuna e Prishtinës nuk na i dha.

    Përmes kërkesës për qasje në dokumente publike, Komunës i kërkuam numrin e lejeve të ndërtimit të dhëna në këto zona gjatë viteve 2020–2026, kërkesat e refuzuara, dokumentet e planifikimit që përcaktojnë kufijtë e ndërtimit, raportet e inspektimeve, shkeljet e konstatuara dhe informacionet për mënyrën se si verifikohet ndikimi i projekteve në biodiversitet dhe burimet ujore.

    Komuna nuk u përgjigj.

    Për shkak të mosdhënies së qasjes, më 3 korrik 2026 u parashtrua ankesë në Agjencinë për Informim dhe Privatësi. Gati dy muaj më vonë, Agjencia i kërkoi Komunës që brenda shtatë ditësh të përgjigjej dhe të arsyetonte mosveprimin ose do të gjobitej.

    Deri në përfundimin e këtij hulumtimi, të dhënat e kërkuara nuk janë ofruar.

    Ministria premton rrënime. Për Badocin nuk jep të dhëna

    Ndërkohë që Komuna hesht, Ministria e Mjedisit ka nisur gjatë verës së vitit 2026 aksione kundër ndërtimeve pa leje dhe uzurpimeve pranë rezervuarëve të tjerë të ujit.

    Pas rrënimit të 16 objekteve pranë Liqenit të Ujmanit, më 24 korrik Ministria paralajmëroi publikisht se aksione të ngjashme do të zhvilloheshin edhe rreth Badocit dhe Batllavës. Sipas Ministrisë, Inspektorati po identifikonte shkeljet në këto zona.

    Në gusht, Inspektorati Mjedisor rrënoi pesë objekte të ndërtuara pa leje në pronë publike pranë Liqenit të Radoniqit.

    Ministrja në detyrë e Mjedisit, Fitore Pacolli, deklaroi se aksionet do të vazhdonin për mbrojtjen e pronave ujore, burimeve të ujit të pijshëm dhe hapësirave natyrore.

    Por kur bëhet fjalë konkretisht për Badocin, ende nuk dihet se çfarë ka gjetur Inspektorati.

    Për këtë hulumtim, Ministrinë e pyetëm se çfarë kontrollesh janë zhvilluar rreth liqenit, sa objekte të paautorizuara ose në kundërshtim me kushtet ligjore e mjedisore janë identifikuar, çfarë masash janë marrë dhe nëse është vlerësuar ndikimi i ndërtimeve ekzistuese në ujin e pijshëm, përfshirë rrezikun nga ujërat e zeza, gropat septike dhe ndotës të tjerë.

    Kërkuam gjithashtu raportet e inspektimeve dhe të dhënat për masat e ndërmarra. Ministria nuk u përgjigj.

    Përgjegjësia që kalon nga një institucion te tjetri

    Përgjigjet që morëm nga institucionet e tjera tregojnë edhe një problem tjetër: përgjegjësia për këto zona është e shpërndarë.

    Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Natyrës merret me biodiversitetin, habitatet dhe vlerat natyrore. Planifikimi urban, lejet e ndërtimit dhe inspektimi i ndërtimeve janë përgjegjësi e Komunës. Për Badocin hyjnë në lojë edhe institucionet përgjegjëse për ujërat, shëndetin publik dhe kompania rajonale e ujësjellësit.

    Dokumentet e Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis për projektet konkrete, IKMN nuk i kishte në dispozicion dhe na drejtoi te institucionet që i trajtojnë lejet dhe pëlqimet.

    Aktivista Jeta Berisha e përmbledh problemin shkurt: “Përgjegjësia humbet nga njëri institucion te tjetri.”

    “Nuk ka një databazë të integruar me lejet ndërtimore dhe ujore, VNM-të, zonat mbrojtëse, inspektimet, shkeljet dhe gjobat. Mungojnë gjithashtu inventarë të përditësuar të biodiversitetit dhe të dhëna të plota për ujërat nëntokësore, prurjet dhe cilësinë ekologjike të ujit. Edhe raportet e AMMK-së dhe Bankës Botërore evidentojnë mungesën e të dhënave dhe monitorimit të plotë.” – ka thënë ajo.

    Për Jetlir Bujën, banor të Prishtinës dhe gazetar, problemi është bërë aq i përsëritur sa rrezikon të normalizohet.

    “Thonë që kur e përsëritë gjithë kohën një rrenë, ajo bëhet e vërtetë. Por, kur e përsëritë një të vërtetë gjithë kohën, ajo bëhet bajate. Njerëzit krijojnë apati. E vërteta që u përsërit gjithë kohën këto dekada është se Prishtina s’ka hapësira të gjelbra. E megjithatë, ka mungesë trishtuese reagimi e informimi për ndërtimet afër Gërmisë e Badovcit. Me gjasë, një pjesë e madhe e shoqërisë tonë mendon se kur flet një herë për diçka, ajo ndalet. Veç pse ka folë ai, ndalet. Por, qe… ndërtimet s’po ndalen në të katër anët. Dhe kurrkush s’i jep pesë pare. Gërmia është parku i vetëm serioz në Prishtinë. Ruajtja e saj është çështje jetike për banorët”, thotë Buja.

    Në dokumentin profesional të vitit 2015, ndër masat për mbrojtjen e Gërmisë kërkohej parandalimi i ndërtimeve të paplanifikuara, ruajtja e rrjedhave natyrore të ujit, restaurimi i zonave të degraduara dhe monitorimi i vazhdueshëm i gjendjes së natyrës.

    Më shumë se një dekadë më vonë, qyteti është edhe më afër.

    Derisa sa institucionet heshtin nuk dihet çfarë po prodhon ky afrim në tërësi: sa habitat është fragmentuar, sa është shtuar presioni mbi ujërat, sa projekte janë kontrolluar realisht në terren dhe ku duhet të ndalet ndërtimi përpara se dëmi të bëhet i pakthyeshëm.

    “Institucionet qofshin të nivelit qendror (Minsitria e Mjedisit) qofshin ato locale (komuna e Prishtinës) duhet që në secilin hap zhvillimor ta kenë parasysh se Gërmia është e vetmja zone e mbrojtur natyrore e kryeqytetit të Kosovës dhe Badovci furnizon gjysmën e kryeqytetit me burimin për jetë- ujin. Nëse këto dy qëllime të mbrojtjes i vendosin në tavolinat e tyre të punës dhe në dokumentat zhvillimore, do të jetë e lehtë të mbrohen këto dy vlera natyrore. Cdo tendencë që në emër të zhvillimit ekonomik e urban të sakrifikohen pjesë të territorit të tyre do të ketë pasoja të rënda për natyrën e Gërmisë dhe burimet ujore të Badovcit.” – bën thirrje profesori Veselaj.

    Shkruan: Shkëlqim Beqiri

    Ky shkrim u prodhua me mbështetjen e Internews Earth Journalism Network.
    This story was produced with support from Internews Earth Journalism Network

    Të fundit

    të tjera