Në shumë lagje të Prishtinës, qyteti duket ndryshe nga ç’ishte dikur jo vetëm në pamje, por në mënyrën se si ndihet. Eurisa Rukovci, banore në lagjen Mati të kryeqytetit, thotë se përditshmëria është bërë gjithnjë e më e vështirë për shkak të mënyrës si është ndërtuar lagjja përreth.
“Rrugët janë aq të ngushta sa duket sikur dikush ka projektuar lagjen me një laps të thyer, dhe ka thënë mirë është, le të jetojnë njerëzit këtu,” thotë ajo. Lëvizja me fëmijë ose karrocë është “një lojë mbijetese ku pengesat shtohen sa më shumë afrohesh te shtëpia jote”, shton ajo.
Sipas Eurisës, lagjja ka humbur funksionin social sepse mungojnë hapësirat e përbashkëta.
“Nuk ka një vend të ulesh, asnjë qoshe për të marrë veten”. Njerëzit kalojnë pranë njëri-tjetrit “siç do të kalonin në një korridor spitali”, pa u ndalur, pa parë njëri-tjetrin. Për të, kjo nuk është më lagje është “thjesht një vend ku njerëzit vijnë dhe ikin”.
Dimri e rëndon edhe më shumë përditshmërinë për të. “Ajri bëhet aq i rëndë sa duket sikur e sheh, jo vetëm e ndjen”, thotë ajo, duke përshkruar pluhurin, zhurmën dhe izolimin që e detyron komunitetin të mbyllet brenda.
“Krejt çka duhet me bo është me shku në një kafene e me u izolu prej zhurmës”
Këtë përditshmëri e njeh mirë edhe Jetlir Buja, i cili ka jetuar në dy lagje shumë të ndryshme të Prishtinës: në Ulpianë dhe në rrugën “Muharrem Fejza”. Ai tregon se pesë vitet në “Ulpianë” kanë qenë krejt ndryshe nga koha e kaluar në lagjen e “Spitalit”.
“Unë për pesë vjet kam banu në lagjen Ulpiana e cila njihet në një prej lagjeve më të gjelbra në Prishtinë sepse ka mjaftueshëm parqe, kënde lojërash, ka edhe hapësira për të ecur. Sidoqoftë unë kam banuar edhe në lagjen e Spitalit, në udhën e famshme ‘Muharrem Fejza’ për gjatë gjithë periudhës së ndërtimit e rindërtimit të saj dhe asnjëherë në atë lagje nuk ka pasur rehati për banorët, për këmbësorët, bile nuk ka as sot.”, thotë ai.
Për të, mungesa e hapësirave të gjelbra nuk është vetëm çështje estetike, por një realitet që prek çdo minutë të përditshmërisë.
“Hapësirat e ecjes janë tepër të vogla, hapësirat për rekreacion nuk ekzistojnë fare… krejt çfarë duhet të bësh është të shkosh në një kafene dhe të izolohesh prej zhurmës së madhe të veturave dhe mjeteve të punës që i kanë kompanitë ndërtimore.”
Sipas Bujës, as Ulpiana, që shihet si lagje e gjelbër, nuk shpëton nga presioni urban.
“Edhe aty numri i madh i veturave e bën të pamundur të ecësh i shpenguar e i lirë… duhet të jesh vazhdimisht vigjilent. Kjo e rrit ankthin dhe të largon nga parku, edhe pse ai është aty.”, shprehet ai.
Për të, rrënja e problemit nuk është vetëm ndërtimi, por edhe çmontimi i jetës komunitare:
“Problemi kryesor me Prishtinë por edhe me qytete tjera është mungesa e asaj që e quajmë kapital social… njerëzit nuk ndërveprojnë, janë të automizuar… kjo mungesë e komunitetit i çon përpara interesat e ndërtimtarëve dhe jo të qytetarëve.”, përfundon ai.
“Lagja ime nuk ka as park, as hapësirë ku mund të ulesh”
Endrita Rahimi është 20 vjeçare nga komuna e Gjilanit, që gjatë studimeve po banon në lagjen “Qafa” në Prishtinë, për të cilën thotë se nuk ka hapësira të mjaftueshme për ecje apo qëndrim jashtë.
“Jetoj në “Qafë” në Prishtinë dhe aty nuk ka hapësira të gjelbërta, nuk ka as parqe as kënde lodrash afër. Ka shumë ndërtime dhe mungon një vend i hapur ku mund të pushosh. Unë zakonisht dal e eci dhe më duhen rreth 20–22 minuta deri në Taukbahçe… kështu po ja dal me pas pak natyrë përreth.”
Për Endritën, situata bëhet edhe më e rëndë kur vjen te cilësia e ajrit dhe zhurma e përditshme, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në jetesën e lagjes.
“Ka shumë pluhur dhe zhurmë. Ajri shpesh ndihet i rëndë dhe mungesa e gjelbërimit e bën edhe më të vështirë.”, përfundon ajo.
Një qytet që rritet më shpejt se planet e tij
Rrëfimet e banorëve përputhen me pamjen e qytetit: ndërtesa të larta të ngjeshura, trotuare të ngushta, rrugë që mezi i përballojnë veturat dhe hapësira të vogla mes ndërtesave ku dikur kishte gjelbërim.
Prishtina është shndërruar në një nyje të dendur betoni. Popullsia e saj de facto, sipas Komunës, mund të arrijë deri në 400 mijë banorë, ndërsa gjatë ditës në kryeqytet qarkullojnë rreth 500 mijë njerëz.
Në këtë rritje, hapësirat e gjelbra janë ngjeshur. Sot, qyteti ka vetëm 2.9 m² gjelbërim për banor, shumë larg standardit prej 9 m² të rekomanduar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

E këto të dhëna për gjëlbërimin për banor në kryeqytet, për arkitektin Ilir Gjinolli paraqesin një një prapambetje strukturore e zhvillimit urban të Prishtinës.
“Dështimit politik – mungesë vizioni dhe prioritizimi të interesit publik, dështim institucional – mungesë kontrolli dhe mbikëqyrjeje, dështim profesional – margjinalizimi i ekspertëve dhe presioni i tregut.” – shprehetn arkitekti Gjinolli.
Ndërkohë, ndërtesat vazhdojnë të ngrihen. Por ndërtesat nuk nënkuptojnë domosdoshmërisht jetë.
Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) (2024), nga 92 mijë 703 banesa në Prishtinë, 31 mijë 368 janë të zbrazëta, një e treta e të gjitha banesave.

Ndërsa qyteti zgjerohet horizontalisht dhe ngrihet vertikalisht, boshllëku mes nevojave të banorëve dhe orientimit të tregut vetëm thellohet. Ky kontrast shfaqet më qartë te banesat e zbrazëta: një qytet që vazhdon të ndërtojë sikur nuk ka sot mjaftueshëm hapësirë, ndërkohë që një e treta e apartamenteve mbetet e pa jetuar.
Megjithatë, ndryshimet urbane të Prishtinës nuk shihen vetëm në lagje, por edhe në mënyrën si qyteti po transformohet në hartën e madhe demografike. Migrimi drejt zonave urbane është një fenomen global.
Sipas UNCTAD, 56% e popullsisë botërore jeton sot në qendra urbane, ndërsa deri në vitin 2050 kjo shifër pritet të arrijë 68%.
Edhe Evropa po ndjek të njëjtën rritje, 75% e popullatës aktualisht jeton në qytete, ndërsa Eurostat parashikon se deri në 2050 kjo do të shkojë në 80%.
Ky trend pasqyrohet qartë edhe në Kosovë. Drafti i Hartës Zonale të Kosovës 2020–2028 e përshkruan qartë presionin mbi qendrat urbane, veçanërisht Prishtinën.
“Duke qenë dëshmitarë të presionit të shtuar për të siguruar një vendbanim në zonë urbane, mund të konstatojmë se trendi i rritjes së popullatës urbane në vendin tonë shumë shpejtë do t’i arrijë shifrat evropiane. Një situatë e tillë kërkon vëmendje të shtuar nga të gjithë përgjegjësit, e në veçanti nga autoritetet përgjegjëse komunale, për gjetjen e zgjidhjeve adekuate dhe të përshtatshme me kërkesat dhe gjendjen aktuale në terren”.
Ky presion demografik është i dukshëm në përditshmëri: çdo vit, mijëra banorë të rinj vijnë në Prishtinë për punë, studime ose qasje në shërbime publike. Si rezultat, kërkesa për ndërtim është rritur pothuajse në çdo lagje, ndërsa qyteti është zgjeruar në periferitë që përpara një dekade ishin zona gjysmë-rurale.
Por a është zhvilluar me plan për jetë të mirëfilltë të qytetarëve që po kërkojnë banim në Prishtinë apo thjesht nga presionet e tregut? Për arkitektin Ilir Gjinolli duket të jetë kjo e fundit, duke theksuar se për shkak të ksaj, praktikisht është një përzirje e planifikimit urban formal dhe urbanizmit të pakontrolluar.
“Në praktikë, procesi ka prodhuar një përzierje të dukshme mes planifikimit urban formal dhe urbanizmit të pakontrolluar. Ekzistojnë zona ku zhvillimi ka ndjekur standarde më të qarta të densitetit, infrastrukturës dhe hapësirës publike, por pjesa më e madhe e zgjerimit të qytetit ku planet rregulluese nuk kanë pasë të definuar qartë shfytëzimin e tokës, shkallën e ndërtimit dhe hapësirën e definuar publike, përqindja e gjelbërimit dhe transportit, shërbimeve dhe cilësisë së jetës.” – ka thënë ai, duke konkluduar se Prishtina është një qytet i fragmentuar dhe që ka këto të meta.
“Dendësi e lartë pa infrastrukturë adekuate, mungesë koherence vizuale dhe funksionale, mungesë e hapësirave publike, rrjeti rrugor dhe shërbimet komunale jofunksionale dhe zhvillim vertikal në zona pa kapacitet mbështetës të infrastrukturës teknike dhe shoqërore” – ka nënvizuar Gjinolli.
Boshllëku institucional
Në këtë panoramë të ngarkuar, edhe përgjigjet institucionale tregojnë një qartësi të munguar. Pyetjet drejtuar Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës zbuluan një sistem të fragmentuar, ku përgjegjësitë kalojnë nga një departament tek tjetri pa një mekanizëm të unifikuar monitorimi. Ministria njofton se monitorimi i ndikimit mjedisor nuk është kompetencë e Departamentit për Planifikim Hapësinor, ndërsa çështjet e humbjes së hapësirave të gjelbra i referohen Institutit për Planifikim Hapësinor – i cili funksionon brenda të njëjtit institucion.
Ajo që qëndron në sfond është fakti se Komuna e Prishtinës ende nuk e ka përfunduar Planin Zhvillimor Komunal dhe Hartën Zonale dhe funksionon kështu që nga viti 2022, dokumente që ligjërisht duhet t’i nënshtrohen vlerësimit strategjik mjedisor. Pa to, vendimmarrja urbanistike funksionon pjesërisht në vakum – me harta të vjetra, rregulla të përkohshme dhe një sërë lejesh ndërtimi që mbështeten në plane të papërditësuara.
Ndërkaq, pas më shumë se një muaj pritje, Komuna e Prishtinë, nuk ka dhënë asnjë përgjigje në pyetjet tona.
Standardet që ekzistojnë vetëm në letër
Kosova ka standarde minimale të përcaktuara me Udhëzimin Administrativ 08/2017, i cili kërkon të paktën 1 m² gjelbërim për banor në një lagje dhe 2 m² në nivel vendbanimi. Por Komuna e Prishtinës si duket nuk disponon të dhëna nëse këto standarde janë respektuar në kryeqytet, sepse refuzojnë të përgjigjen në pyetjet tona.
Arkitekti Ilir Gjinolli vuri në pah pikërishtë këtë se në Prishtinë shumë prej planeve rregulluese urbane nuk zbatohen në mënyrë rigoroze.
“Arsyeja kryesore lidhet me mospërputhjen midis planifikimit dhe procesit të zbatimit të planeve reale, ku shpesh miratohen devijime, leje shtesë ndërtimi ose pëlqime të jashtëzakonshme që nuk përputhen me planin. Këto devijime vijnë kryesisht për interesa ekonomik, presione politike, mungesë koordinimi mes drejtorisë së Urbanizmit dhe Drejtorisë së Planifikimit Strategjik përfshi edhe mungesën e kapaciteve të planifikimit dhe të shërbimeve të inspektimit”, u shpreh Gjinolli.
Prandaj sipas Gjinollit, zhvillimi urban i Prishtinës nuk mund të konsiderohet si planifikim i mirëfilltë urban.
“Është një urbanizim i paqëndrueshëm hibrid, ku zbatimi i planeve shpesh është ndikuara nga kapitali/pronarët e tokave dhe investitorët, kryesisht nga mungesa e përkushtimit institucional për t’i detajizuar dhe zbatuar plotësisht planet. Transformimi i këtij modeli në të ardhmen drejt një qasjeje më të qëndrueshme, të orientuar në interesin publik para interesit privat me shërbime funksionale shoqërore, hapësira publike cilësore transport publik efikas dhe kontroll më efikas të zhvillimit, do të jetë një detyrë tejet e veshtirë e ciësdo qeverisjje urbane.”, u shpreh tutje ai.
Gjinolli tregoi edhe përvoja kur projektet arkitektonike janë ndryshuar nga investitorët, duke renditur llojet e ndryshimeve, si shtesa e kateve, ndryshime të materialeve, reduktimi i hapësirave publike, parkingut e të tjera.
“Arkitektët të cilët nuk pranojnë ndryshime të tilla, përjashtohen nga faza e zbatimit, duke mos pasur as kontrollin minimal mbi ruajtjen e konceptit fillestar, gjë që edhe nuk është e sanksionuar me ligj. Ne Kroaci, psh, asnje ndërtesë nuk mund ta merr certifikatën e përdorimit pa nënshkruar arkitekti për projektin e zbatuar”, potencoi arkitekti Gjinolli.
Ndërsa përgjegjësitë për gjendjen e krijurar sipas tij janë të Komunës, drejtoria e planifikimit strategjik dhe drejtoria e urbanizmit, inspektorati, drejtoritë tjera komunale si dhe grupet politike në Kuvendin e Kosovës.
Gjinolli tregoi gabimet më të mëdha të planfikimit urban në Prishtinë.
“Mungesa e një vizioni afatgjatë, mungesa e vazhdimësisë dhe respektimit të planeve, densifikimi i pakontrolluar në zonën qendrore të qytetit, neglizhimi i hapësirave publike dhe atyre të gjelbra” u shpreh ai.
“Institucionet përgjegjëse, nga drejtoritë e urbanizmit deri te inspektoratet, nuk e kanë kryer funksionin bazë: kontrollin e zbatimit të rregullave. Kjo është arsyeja pse në shumë zona: distancat ndërtimore janë reduktuar përtej minimumit ligjor, ventilimi natyror është i pamjaftueshëm, drita e ditës është bllokuar nga ndërtime përballë, parkingu është llogaritur në mënyrë formale, por jo reale, hapësirat për fëmijë e komunitet janë lënë jashtë projektit, ndërtesat kanë volum më të madh se ai i lejuari. Këto nuk janë “gabime teknike”, por mungesë e kontrollit dhe e llogaridhënies.” – ka thënë ai.

Çfarë thonë organizatat mjedisore?
Egzona Shala-Kadiu, nga organizata mjedisore “EcoZ” e përshkruan zhvillimin e kryeqytetit si një proces që ka ecur “me intensitet të lartë dhe me mungesë të ekuilibrit mes ndërtimit dhe hapësirave publike”.
Sipas Shala-Kadiu, deficitit të gjelbërimit i shtohet edhe presioni i vazhdueshëm mbi parqet ekzistuese – si Parku i Qytetit, Taukbahçe apo zona e Arbërisë – ku hapësirat e lira shpesh kthehen në parkingje ose ndërtim të ri, ndërsa parqet e lagjeve mbeten të dëmtuara dhe të pamenaxhuara.
Ajo nënvizon efektet e dukshme nga ky stërngarkim i kryeqytetit me banesa.
“Pakësimi i hapësirave të gjelbra në lagje, rritja e temperaturës urbane, ndotja e ajrit sidomos në dimër dhe përmbytjet e shpejta pas reshjeve. Këto nuk janë vetëm probleme inxhinierike, por prekin drejtpërdrejt shëndetin e qytetarëve – duke rritur stresin termik, duke ulur cilësinë e ajrit dhe mundësitë për aktivitet fizik.”, shprehet Egzona Shala-Kadiu nga organizata mjedisore EcoZ.
Sipas saj, edhe aty ku ekzistojnë synime për mjedisin brenda dokumenteve zyrtare të Komunës, “zbatimi shpesh ngec për shkak të kapaciteteve të vogla inspektuese, mungesës së monitorimit sistematik dhe konfliktit të prioriteteve”, në një terren ku ndërtimet shumëkatëshe shpesh dalin përtej rregullave.
Në një analizën për hapësirat e gjelbëra urbane në Prishtinë, “Urban greening per capita in Prishtina in relation to WHO recommendations: A comparative analysis 2018–2024”, autorët D.Zairi dhe E.Maliqi, matin me detaje se si ka ndryshuar hapësira e gjelbër gjatë gjashtë viteve të fundit.
Studimi tregon se sipërfaqja totale e hapësirave të gjelbra në Prishtinë është rritur nga 0.409 km² në vitin 2018 në 0.595 km² në vitin 2024. Kjo rritje duket pozitive në shikim të parë, por kur ndahet për banor, tabloja ndryshon: hapësira e gjelbër për person është rritur vetëm nga 2.06 m² në 2.62 m², shifër që mbetet tepër e ulët për një kryeqytet që ka kaluar një bum ndërtimor intensiv.
Autorët e studimit e theksojnë qartë se këto shifra janë shumë larg standardit ndërkombëtar. Prishtina vazhdon të jetë “shumë poshtë rekomandimit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë prej 9 m² për person”, duke u kategorizuar si qytet me mungesë kritike të gjelbërimit. Sipas tyre, situata fut Prishtinën në rangun e qyteteve ku densiteti ndërtimor ka filluar të ndikojë drejtpërdrejt në cilësinë e jetës.

A po e ndjek Prishtina trendin e gjelbërimit mbi ndërtesa?
Në shumë vende të botës, çatitë e gjelbra të njohura edhe si çati vegjetative apo eko-çati – janë kthyer në një praktikë të zakonshme të planifikimit urban. Bëhet fjalë për krijimin e shtresave të bimësisë mbi sipërfaqet e ndërtesave, një zgjidhje që sjell jo vetëm izolim më të mirë termik dhe ulje të temperaturave urbane, por edhe rritje të biodiversitetit dhe menaxhim më efikas të ujërave të shiut.
Gjatë viteve të fundit, ky trend është rritur me shpejtësi, sipas Market Growth Reports dhe Fortune Business Insights, vetëm në vitin 2023 sipërfaqja totale e çative të gjelbra në botë ka kaluar mbi 110 milion m², nga rreth 88 milion m² në vitin 2020.
Sipas European Federation of Green Roofs and Walls (EFB), vetëm në Gjermani – vendi lider në Evropë gjatë vitit 2023 janë instaluar rreth 10.2 milion m² çati të reja të gjelbra, një rritje e ndjeshme krahasuar me vitet paraprake.
Ndërkohë, qytete të zhvilluara si Toronto dhe Tokio kanë të miratuar politika të detyrueshme për gjelbërimin e çative në ndërtesat e reja. Toronto është qyteti i parë në Amerikën e Veriut me një Green Roof Bylaw (2009), që kërkon instalimin e çative të gjelbra për shumicën e ndërtesave të reja me sipërfaqe mbi 2,000 m².
Tokio, që prej vitit 2001 kërkon që rreth 20% e sipërfaqes së çative të ndërtesave të reja të dedikohet për gjelbërim.
Në këtë kontekst ndërkombëtar, pyetja që lind natyrshëm është: a po afrohet edhe Prishtina me këtë ritëm, apo vazhdon të mbetet prapa modeleve të konsoliduara të gjelbërimit në çati?
Gjatë intervistës me arkitektin Ilir Gjinolli, ai theksoi se edhe pse në Kosovë vërehen përpjekje drejt praktikave më të qëndrueshme, ato ende nuk përbëjnë një standard të qëndrueshëm zhvillimor.
“Në Kosovë – sidomos në Prishtinë – ka projekte që inkorporojnë elemente të gjelbërimit, hapësira publike më cilësore dhe qasje më ekologjike në dizajn, por ato nuk janë ende standard i detyrueshëm, por më shumë raste të veçuara të praktikës së mirë,” tha Gjinolli.
Ai shtoi se këto përpjekje po shfaqen në disa fusha të qarta zhvillimi:
“Te projektet e reja publike, ku institucionet gjithnjë e më shpesh kërkojnë standarde më të hapura, të gjelbra dhe me efikasitet energjetik – përfshirë shkolla të reja, objekte kulturore dhe hapësira universitare. Te disa komplekse të reja banimi, që për të rritur vlerën në treg po përfshijnë hapësira të përbashkëta, gjelbërim, qendra komunitare dhe madje edhe kulme të gjelbra, megjithëse pa e anashkaluar dimensionin komercial. Te projektet komunale për rimodelimin e hapësirave publike, veçanërisht brenda lagjeve, ku theksi po vendoset te këmbësorët, hapësira e lojërave dhe gjelbërimi.”
Megjithatë, sipas Gjinollit, sfida kryesore mbetet mungesa e një baze të qartë ligjore për hapësirat publike dhe gjelbërimin.
“Edhe pse normat teknike të planifikimit hapësinor parashohin minimumin e hapësirave publike, problemi kryesor është mungesa e një kornize tërësore ligjore që e definon hapësirën publike dhe gjelbërimin — sasinë, mënyrën e sigurimit dhe menaxhimit — në çdo shkallë: bllok, lagje dhe qytet.”, u shpreh ai./GenVox
Autore: Agnesa Qorri Beqiri
This story was produced with the support of Thomson Media and Open Society Foundations – Western Balkans, within the project Greening the Narratives: Advancing Awareness of the Green Transition in the Western Balkans. The content is the sole responsibility of the author and does not necessarily reflect the views of the supporting organisations.
