More

    Rreth edukimit seksual në shkolla: “Dëme të mëdha” apo “mos-edukimi rrezik për mirëqenie”

    Edukimi seksual është proces shumë i rëndësishëm në të mësuarit e seksualitetit njerëzor, si zhvillimet seksuale, identiteti seksual e marrëdhëniet e shëndosha.

    Studimet e fundit të publikuara nga UNESCO në “Udhëzimet teknike ndërkombëtare për edukimin seksual: një qasje e bazuar në prova” po tregojnë se efektet pozitive të edukimit seksual janë edhe zvogëlimi i shtatzënive te të miturat dhe rritja e sigurisë seksuale.

    Duke pasë parasysh këtë ndikim të madh në shoqëri, edukimi seksual është lëndë shkollore në shumë shtete të botës si: Holanda, Belgjika, Gjermania, Suedia,etj. Megjithatë, në Kosovë ende mbetet temë e injoruar nga një pjesë e shoqërisë, kjo për shkak të perceptimeve ende shumë tradicionale.

    Në një shkollë të komunës së Gjilanit, vijojnë mësimin fëmiët e prindit B.M (emër i njohur për redaksinë), i cili është kategorisht kundër involvimit të lëndës së edukimit seksual në shkollë ngase mendon se kjo sjellë “dëme të mëdha”.

    “Edukimi seksual në shkolla ka dëme të mëdha, sepse ushqen fëmijët me mendime seksuale që në një moshë të re. Fëmijët në shkolla le të mësojnë matematikën e shkencat, jo edukim seksual. Është detyrë e prindërve të ju mësojnë fëmijëve se çka është e drejtë dhe e gabuar, dhe jo e institucioneve arsimore. Prandaj, unë si baba i tre fëmijëve nuk e përkrah këtë gjë”, tha B.M në një prononcim për GenVox.

    E krejt ndryshe mendon prindi A.A (emër i njohur për redaksinë) po ashtu nga Gjilani, i cili shprehet se edukimi seksual në shkolla do të kishte ndikim pozitiv në shoqëri.

    “Unë do të ndihesha më i qetë po t’i ofronte shkolla fëmijëve të mi edukimin seksual, kjo në mënyrë që ata të jenë të informuar detajisht për trupin e tyre dhe praktikat seksuale dhe që ata të kenë besim në marrëdhëniet e tyre personale. Gjithashtu edukimi seksual që ofrohet nga profesionistë të kualifikuar, shërben dhe në ngritjen e diskutimeve të hapura mbi aspektet seksuale, kjo duke ndikuar pozitivisht në shoqëri”, tha A.A për GenVox.

    Ndonëse prindërit e kanë plotësisht të drejtën e të qenit pro apo kundër futjes së lëndës së edukimit seksual si lëndë obligative në shkolla, mungesa e një edukimi të tillë mund të ketë pasoja.

    Profesorja e psikologjisë në Gjimnazin Shoqëror-Gjuhësor “Zenel Hajdini” në Gjilan, Mimoza Kadriu, thekson se mos-edukimi seksual mund të rrezikoj edhe mirëqenien shëndetësore.

    “Mungesa e trajtimit të seksualitetit në shkollë dhe në familje ka bërë që fëmijët të ndërtojnë skema të ndryshme lidhur me funksionimin seksual dhe këto skema të gabuara, ndonjëherë edhe të dëmshme janë plasuar tek bashkëmoshatarët në mënyrë të gabuar. Në aspektin psikologjikë, nevoja seksuale përveq që është nevojë trupore, fiziologjike, është edhe raport i afërt me dikë, besim, ndjenjë, emocion, mendim etj.  Pranda, përzgjedhja e partnerit seksual në mënyrë të gabuar rrezikon mirëqenien tonë shëndetësore, psikologjike, emocionale etj. Për dikë mund të jetë me një përfundim tepër të frikshëm”, u shpreh znj.Kadriu.

    Përfshirja e edukimit seksual në kurrikulën shkollore, sipas profesores Kadriu, do të thyente edhe tabutë në shumë familje dhe do krijoheshin marrëdhënie të shëndosha.

    “Sa më të izoluara janë gjërat mbeten më tërheqëse, prandaj duhet të flasim hapur për këtë temë për të patur një shoqëri të shëndoshë”, përfundoi Kadriu prononcimin për GenVox.

    Se edukimi seksual si lëndë obligative në shkolla është i domosdoshëm thotë edhe aktivistja dhe drejtoresha e organizatës “Fourth Wave”, Neri Ferizi, e cila thotë se mos-edukimi po atakon njerëz të pafajshëm.

    Ndërkohë ajo nuk i përjashton vështirësitë që mund të shfaqën në aspektin e implementimit të edukimit seksual në shkolla.

    “Mendoj që profesorët janë të ndikuar nga kjo mendësi konservatore, dhe ata e shohin edukimin seksual në pika të trasha, duke mos u thelluar në detaje të cilat janë shumë të rëndësishme për formësimin e një shoqërie të shëndoshë. Gjithashtu, nxënësit duhet të informohen, duke e spjeguar në detaje funksionimin e trupit të njeriut, duke ligjëruar për sëmundjet seksuale të cilat mund të paraqiten, duke tentuar që ndikimet e jashtme, sikurse ato religjioze apo edhe konspirative ti largojmë dhe njëkohësisht duke tentuar që shkenca dhe faktet të konkretizojnë” , theksoi Ferizi, në përgjigjen e saj për GenVox.

    Tutje, znj.Ferizi tha se do të ishte shumë e rëndësishme që të dekonstruktohet glorifikimi i marrëdhenies seksuale si diçka vendimtare dhe përfundimtare. Po ashtu, konsenti apo leja, të trajtohet si domosdoshmëri për një raport seksual apo intim.

    Në një publikimi të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në Kosovë, thuhet se studimet kanë treguar se edukimi i fëmijëve mbi seksualitetin nuk rrit apo nxit aktivitetin seksual por e ndihmon dhe e dërgon sigurt, fëmijën dhe nesër të rriturin, drejt veprimeve pozitive, të drejta dhe të sigurta të cilat kanë ndikim sot dhe në të ardhmen. (Çka është edukimi seksual?, publikuar nga MAShT[1])

    [1] https://masht.rks-gov.net/wp-content/uploads/2023/08/Cka-eshte-Edukimi-Seksual-MASHT-UNFPA-KOPF.pdf

    Autore: Erdë Mehmeti

     

    Të fundit

    të tjera