Pak më e vjetër, e pak më pak në numër, kjo është popullësia e Kosovës në të dhënat e fundit.
Kështu tregojnë rezultatet paraprake të Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave (ReKos 2024), të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK).
Sipas këtyre të dhënave, Kosova ka 1.5 milion (1,586,659) banorë rezidentë, nga këto të dhëna kuptohet se vendi ynë ka shënuar një rënie të popullsisë, krahasuar me regjistrimin e vitit 2011, ku gjithsej ishin 1.7 milion banorë (1,739,825).
Një tjetër pikë kyçe nga këto të dhëna është rritja e moshës mesatare të popullsisë në Kosovë, ku nga 29.97 vjet sa ishte në vitin 2011, tashmë mosha mesatare është rritur në 34.83 vjet.
Të dhënat parapake të regjistrimit të popullsisë kanë vënë në pah edhe ndryshimet demografike në vendin tonë, duke nxitë diskutim mbi sfidat me të cilat mund të përballet Kosova në vitet e ardhshme.
Trendet demografike edhe efektet
Demografi Sami Behrami në një deklaratë për GenVox vlerësoi se trendet demografike në vendin tonë kanë marrë përmasa shqetësuese, duke numëruar disa nga sfidat me të cilat mund të ballafaqohet vendi ynë.
“Ky është një tregues i cili na bënë me dije se trendet demografike në Kosovë kanë marrë përmasa shqetësuese, jo vetëm në këtë rast te mosha mesatare, por Kosova po ballafaqohet edhe me sfida tjera të natyrës demografike. Duke filluar nga rënia e lindshmërisë (shtimit natyror) e deri te numri i lartë i emigrimit”, është shprehur ai.
Sipas Behramit, statistikat e para të regjistrimit të popullsisë të vitit 2024, treguan që Kosova në raport me vitin 2011 është duke u ballafaquar me procesin e de-popullimit.
“Të gjitha këto janë zhvillime negative, të cilat do të kenë pasoja në të ardhmen e afërt për zhvillime tjera, qoftë demografike, qoftë socio-ekonomike, edhe të sigurisë së vendit”, tha mes tjerash ai.
Krahas rënies së popullsisë, në vendin tonë është rritur edhe mosha mesatare, demografi Behrami shpjegoi se këtu kanë ndikuar disa faktorë.
“Një tregues që si pasojë e zvogëlimit të lindshmërisë dhe fluksit të madh të emigrantëve, ku nga fluksi i emigrantëve goditen grupmoshat 20 +, pra moshat e tregut të punës. Kurse, nga zvogëlimi i lindshmërisë atakohen grupmoshat e reja, që në të dyja rastet kanë trende të zvogëlimit, e çka favorizon rritjen e grupmoshave të vjetra. Në këtë rast, me përpunimin e të dhënave më detajisht nga ASK, do të tregohet që grupmoshat mbi 65-vjec kanë pasur trend të rritjes në vitin 2024, në krahasim më vitin 2011. Për pasojë ka pasur edhe rritje të moshës mesatare, që është një tregues dhe një zhvillim i pafavorshëm demografik për popullsinë në Kosovë”, potencoi ai.
Demografi Behrami vlerëson se për këto ndryshime demografike, institucionet në Kosovë duhet të ndërmarrin disa masa.
“Në rend të parë duhet të adresohen faktorët që ndikojnë në lëvizje të pafavorshme demografike, që në rastin e Kosovës në rend të parë janë lëvizjet migruese. Pra, numri i lartë i emigrimeve ka shkaktuar çrregullime edhe në segmente tjera të zhvillimit demografik, duke përfshirë edhe strukturën e popullsisë. Pra,largimi i grupmoshave të afta për punë, ka ndikuar në rritjen e moshës mesatare“, potencoi ai.
Gjithashtu, ai pohoi se “emigrimet kanë ndikim direkt edhe në lindshmëri, meqenëse në të njëjtën kohë, kanë emigruar edhe grupmoshat që kanë potencial për rritjen e lindshmërisë”.
“Institucionet duhet të adresojnë çështjet që kanë ndikim në këtë fluks, e ku zhvillimi ekonomik do të duhej të ishte parasysh, në qoftë se duam që zhvillimi demografik të jetë në suaza të normales”, nënvizoi ai.
Të dhënat e fundit të publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, mbi popullsinë dhe pasurinë duhet të jenë një alarm për Qeverinë, kështu pohon ekonomisti Mustafë Kadrijaj.
“Këto të dhëna dhe ky regjistrim pa dyshim që për Qeverinë duhet të jetë një alarm, një shqetësim, për faktin se këto do të kemi probleme edhe sociale edhe ekonomike. Ndoshta kjo për Qeverinë duket e mirëseardhur, sepse brutoprodukti del më shumë për kokë banori, sepse i kemi minus 300 mijë banorë. Por, duhet ta kemi të qartë se këtu po ndikon edhe plakja, minimum për 5 vite rritet mosha mesatare e popullsisë”, ka theksuar ai.
Kadrijaj gjithashtu bëri të ditur se rënia e popullsisë dhe rritja e moshës mesatare do të ketë ndikim në disa fusha.
“Në anën e ekonomike si mungesë e 300 mijë banorëve, do të kemi probleme me arsim, shkollat janë para mbylljes, kemi problem edhe me konsum, sepse 300 mijë banorë nuk janë në Kosovë, dhe kjo e dëmton konsumin në vend, që ka ndikim në zhvillimin e ekonomisë. Po ashtu, kemi edhe mungesë të fuqisë punëtore, kemi mungesë të kapitalit njerëzor, që në vazhdimësi ka gatishmëri të largimit nga vend, dhe kjo po ndodhë si rezultat i mos politikave të mira ekonomike”.
Largimi i qytetarëve, sipas ekspertit të ekonomisë po ndodhë për shkak se qytetarët nuk shohin perspektivë në Kosovë. Ndërsa, i pyetur se çfarë duhet bërë institucionet përgjegjës, Kadrijaj thotë se në Kosovë duhet të ketë më shumë investime.
“Kjo Qeveri më shumë është fokusuar në këto paketat sociale, që ndoshta më tepër kanë ndikim dhe që duhet të vlerësohen, por që në ekonomi duhet të mendohet për investime që përmes tyre fuqizohet biznesi në vend, i cili ndikon edhe të punësimi i popullatës, por ndikon edhe te tatimet e shtetit. Dhe rrjedhimisht duke pasur investime të larta, fuqizohet edhe biznesi, por edhe paga minimale dhe mesatare”, nënvizoi ai për GenVox.
Ndryshe, të dhënat përfundimtare të regjistrimit të popullsisë planifikohet të publikohen në fund të vitit 2024. Megjithatë, ushtruesi i detyrës së drejtorit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Avni Kastrati, kishte deklaruar se të dhënat përfundimtare nuk do të kenë shumë dallim nga të dhënat paraparake që u publikuan gjatë muajit korrik.