More

    Sifdat e vajzave dhe grave me trashëgiminë e pronës

    Trashëgimia e pronës është një çështje e rëndësishme dhe shumë komplekse juridike në shoqëri. Në Kosovë, ky proces ka pasë dhe vazhdon të ketë sfida të veçanta, e sidomos kur vjen puna që gratë të trashëgojnë pronë.

    Në kontekstin ligjor dhe rregullat aktuale të shtetit të Kosovës, trashëgimia e pronës është e rregulluar nga disa ligje dhe akte ligjore, të cilat përfshijnë Kushtetutën e Republikës së Kosovës, Ligjin për Trashëgiminë, dhe dispozitat tjera ligjore të aplikueshme. Këto ligje përcaktojnë se si trashëgohet pronësia, duke përfshirë pronën e paluajtshme dhe të luajtshme, si dhe rregullojnë procedurat dhe kushtet për ndarjen e pronës së trashëguar.

    Sipas një hulumtimi të Shoqatës së Juristëve “Norma”, në Kosovë vetëm 23 për qind e grave e trashëgojnë pronën, për dallim prej 77 për qind të burrave që trashëgojnë prona.

    Valbona Salihu, drejtore e kësaj shoqate, kur prezantoi këto të dhëna vitin e kaluar, kishte thënë se është shumë e rëndësishme të flitet për të drejtën pronësore për gratë e vajzat në Kosovë, meqë statistikat tregojnë se në Kosovë vetëm 18 për qind e grave dhe vajzave kanë prona në emrin e tyre, ndërkaq 23 për qind e grave dhe vajzave e trashëgojnë pronën.

    Megjithatë, në praktikë, vazhdon të ketë sfida të mëdha në zbatimin e këtyre rregullave. Në shumicën e rasteve ato janë përballur me ndërprejen dhe vonesën e procesit juridik, ku ka bërë që gratë ta humbin pronën për shkak të proceseve të stërzgjatura.

    Fatbardha Zyberi, e ka ndarë me GenVox, përvojën me të cilën u përball nëna e saj në rrugën drejt trashëgimisë së shtëpisë, ku gjyshja e saj ishte manipuluar dhe pa pasur njohuri kishte nënshkruar kontratë me nipin e saj që “ai të kujdesej për të dhe shtëpia t’i mbetej”.

    “Gjyshja ime pjesën e fundit te jetës së saj e kaloj duke u munduar t’ia lë shtëpinë trashëgimi nënës time, atë shtëpi të cilën e dha jetën duke u kujdesur për të, pasi që nëna ime nuk ishte vajza e saj biologjike, por që nga mosha 15 vjeçare u kujdes për të sikur ta kishte fëmijë… Gjyshja ime kur ishte e re për shkak që nuk fliste shqip sepse i takonte kombësisë boshnjake, u mashtrua nga djali i motrës së saj ku ia manipuloj testamentin duke ia kthyer në kontratë qe ai do të kujdesej për të e ajo do t’ia linte shtëpinë, e që kjo asnjëherë nuk u realizua nga ai”, thotë Fatbardha.

    Tutje, ajo tregon e si gjyshja e saj nuk arriti ta pret përfundimin procesit gjyqësor, ndërkohë që ky proces po vazhdon edhe pas vdekjes së saj.

    “Kur gjyshja vendosi t’ia lë testament shtëpinë nënës time, ajo e kuptoj këtë dhe asnjëherë nuk arriti ta prish atë kontratë për shkak të stërzgjatjes së procesit gjyqsor, ku djali i motrës së saj nuk u prek as nga lotët e saj që ta prish atë kontrat dhe ajo të bëj çka të dojë me shtëpinë ku e kaloj të gjithë jetën duke e mirëmbajtur së bashku me nënën time. Gyshja ime vdiq pa e përfunduar procesin gjyqsor, ku madje ditët e fundit të jetës së saj nuk i kaloj në shtëpinë e saj, e mbaj mend që gjatë gjithë kohës thoshte “kam harruar se si duket shtëpija ime, a është e bukur? Gjyshja nuk e perfundoj atë që nisi, por ne ende besojmë në drejtësi që nëna ime do ta gëzoj pronësin e asaj shtëpije si “vajza e saj e vetme” që kishte”, përfundon ajo intervistën e saj për GenVox.

    E një hapësirë shumë e madhe ekziston midis ligjit formal dhe praktikës së zakonshme, veçanarisht në zonat rurale, ku zakonet dhe besimet tradicionale kanë një ndikim të madh në interpretimin dhe zbatimin e ligjeve të trashëgimisë.

    Irena Borinca e cila nuk ka shumë që ka fituar të drejtën e trashëgimisë, tregon se kishte kaluar sfida sikur ajo, e sikur nëna e saj, duke kërkuar të drejtën e trashëgimisë së pronës, gjithë këto për shkak të zakoneve e traditive, ku çdoherë pronat e pasuria trashëgohet nga burrat.

    “Familjarët e afërt të nënës sime e kaluan një pjesë të gjatë të jetës duke mos kontaktuar me nënën time, pasi që ajo kishte kërkuar ta gëzoj të drejtën e trashëgimisë. Po i njëjti problem vazhdojë edhe me mua, ky mos komunikim pas vdekjes së nënës sime. Ato toka u shitën tek një emër i madh biznesi dhe unë pritja për parat te cilat kishin dalur, unë nuk dija asgjë, isha tradhtuar edhe njëherë nga gjaku im, ashtu si u tradhtua edhe nëna ime. Unë vendosa të shkoja tek përmbaruesi, për fat drejtësia funksionoj këtë herë dhe menjëherë ato para dolën në llogarin time. Unë arrita ta trashegojë atë që nëna ime gjithmonë kishte dashur edhe pse te gjithë rreth meje e shohin si dicka të pa moralshme, unë ndjehem e lumtur dhe krenare që njejtë si nëna ime asnjëherë nuk u dorzova në atë që më takonte dhe ishte e drejtë”, tregon Borinca për GenVox.

    Arbesa Azemi, aktore dhe aktiviste, shprehet se vetëdija shoqërore ndonëse po përmirësohet gradualisht, ka ende pengesa të mëdha, sepse vajzat dhe gratë vazhdojnë të shihen si “jo-adekuate” për ta trashëguar pronën.  

    “Edhe pse vetëdija shoqërore ka ndryshuar dhe po shkon drejt ngritjes intelektuale prap se prap është e vështirë të zbatohet për disa arsye, njëra prej tyre është që shumë persona janë të mendimit që trashëgimia e pronësore është pjesë që i takon gjinisë mashkullore. Vajzat, fatkeqësisht, për shumë arsye nuk shihet si adekuate për ta trashëguar pronën, mirëpo në disa raste vetë vajzat nuk e shohin vetën të duhurën për ta trashëguar pronën, pra ajo ja mohon të drejtat vetë vetës. Por, normalisht që ka shumë dallim prej kohëve të mëhershme, pasi përpara as nuk ka qenë temë për ta diskutuar këtë pjesë. Sot, ka shumë njerëz që e shohin dhe e trajtonë trashëgimin pronësore si të barabartë”, shprehet Azemi në prononcimin e saj për GenVox.

    Trashëgimia e grave për pronë në Kosovë mbetet një sfidë komplekse, por edhe një mundësi për të forcuar drejtësinë dhe barazinë gjinore në shoqërinë kosovare. Duke u përpjekur për të adresuar këto sfida dhe duke promovuar një kulturë ligjore të përparuar dhe të drejtë, Kosova mund të sigurojë një ambient më të drejtë dhe më mbrojtës për trashëguesit e të gjitha gjinive.

    Autor: Hynor Vitija

    Të fundit

    të tjera