Stereotipet gjinore vazhdojnë të ndikojnë ndjeshëm në jetën e përditshme, duke formuar perceptimet dhe pritshmëritë tona për burrat dhe gratë. Këto ide të rrënjosura shpesh krijojnë barriera dhe kufizojnë mundësitë për individët. Edhe pse bota ka bërë hapa përpara drejt barazisë, këto stereotipe vazhdojnë të ndikojnë në mënyrën se si individët shihen dhe trajtohen në punë, arsim dhe jetën e përditshme.
Lidhur me stereotipet gjinore Veronë Përçuku, psikologe tha se ato supozohet të formohen ndërmjet një kombinimi të mënyrës se si funksionon truri ynë dhe ndikimet e jashtme që përjetojmë gjersa jemi duke u rritur.
“Që nga lindja, fëmijët janë të ekspozuar ndaj funksionimit të familjes së tyre dhe normave shoqërore, të cilat formojnë kuptimin e hershëm të tyre mbi rolet gjinore. Pastaj, gjatë viteve të shkollës, mësuesit dhe bashkëmoshatarët i përforcojnë më tej këto stereotipe përmes ndërveprimeve sociale dhe, në shumë raste, përmes përmbajtjes që kanë materialet arsimore.” tha ajo në një prononcim për GenVox.
Përçuku tha se si stereotipe mbizotëruese tek ne, stereotipet gjinore në mënyrë aktive dëmtojnë qasjen e grave në mundësi të zhvillimit të një jete përmbushëse në shoqëri, pasi ndikojnë dukshëm në normat sjellore, duke përfshirë pritshmëritë që njerëzit kanë për mënyrën se si ne duhem të shprehim emocionet, çfarë profesioni duhet të zgjedhim e si duhet të sillemi në kontekste shoqërore.
Ajo tutje tregoi se si stereotipet gjinore mund të ndikojnë në komunikimin ndërkulturor dhe sjelljen e njerëzve.
“Në raste kur janë prezente stereotipet për një ose disa grupe kulturore, ato pritet të ndikojnë në mënyrën se si ne i kuptojmë e interpretojmë sjelljet e të tjerëve dhe pastaj, rrjedhimisht, si veprojmë në reagim të këtij kuptimi. Stereotipet kanë potencial të krijojnë keqkuptime, pasi që ato mund t’i paraprijnë gjykimeve të pasakta për sjelljet e individëve që nuk janë të kulturës sonë, duke kontribuar edhe në rritjen e tensioneve të mundshme ndërkulturore. Në këtë rrjedhë, këto stereotipe ulin hapësirën për marrëdhënie të shëndetshme dhe zgjerojnë hapësirën për konflikte të mundshme.”, tha ndër tjerash Përçuku.
Në anën tjetër, Dhurata Prokshi, sociologe tha se në vendin tonë nëse nuk veprohet konform normave të vendosura e që jane tipike stereotipe gjinore, njerëzit mund paragjykohen për sjellje jo të duhur.
“Por jo vetëm aq, sjellja jashta kornizave të stereotipeve gjinore mund të ketë pasojë përdorimin e dhunës mbi bazë gjinore ku në masë më të madhe viktima janë vajzat dhe gratë.”, tha mes tjerash Prokshi për GenVox.
Tutje Prokshi tha se megjithëse stereotipet gjinore janë thyer guximshëm me theks të veçantë në këtë çerek shekulli nga brezat e rinjë, një rast tipik i mbajtjes gjallë të stereotipit gjinor është vazhdimi i përzgjedhjes së profesionit të ofrimit të shërbimeve edukative në nivelin parashkollor dhe fillor të ulët nga vajzat dhe jo nga djemtë që e projekton vajzën/gruan si të duhurën dhe jo djalin/burrin për tu përkujdesur për fëmijët.
“Një projektim i tillë është i lidhur ngushtë me rolin që ka nëna në përkujdesjen ndaj fëmiut në familje.”, u shpreh ajo.
Teksa, Jon Ukimeraj tregoi se si shkak i besimeve të shoqërisë në stereotipe gjinore, ai është gjykuar për stilin e tij.
“Disa herë jam gjyku veç pse mbaj syze me kornizë të portokallt dhe preferoj më shumë rroba me ngjyra të hapura. Sipas tyre, ngjyrat më të hapura nuk janë për djem po për vajza.”, u shpreh ai.
Ukimeraj tutje tha se mënyra se si ai vishet, bëri që ai të gjykohej edhe për aspekte tjera.
“Një gjë e tillë ka ndiku që njerëzit me dyshu edhe në orientimin tim seksual. Unë personalisht nuk është që e marr shumë parasysh se çka të tjerët mendojnë e flasin për mua, por ka njerëz që i përjetojnë tejet rëndë gjykimet e paragjykimet e tilla”, tha mes tjerash ai për GenVox.
Autore: Majlinda Jashari.