More

    Nga zemërimi në veprim: Protestat e grave që formësojnë vetëdijen politike në Ballkan

    “Nëse tutesh prej territ natën, ja qesim flakën qytetit”

    Këto fjalë të fuqishme u shndërruan në një thirrje përbashkuese të protestave të grave që ndodhën në tërë Ballkanin në vitin 2022. Shkrimi në vijim i shqyrton ngjarjet në Prishtinë e Beograd që ndezën lëvizje masive kundër dhunës me bazë gjinore ndaj grave dhe dështimeve sistematike të institucioneve që kanë për detyrë t’i mbrojnë gratë dhe vajzat.

    Një park qyteti është vend kënaqësish të thjeshta fëmijërore, vend ku një vajzë 11-vjeçare mund të luajë, ta ngasë biçikletën ose të shijojë një piknik nën hijen e një peme. Në gusht të vitit 2022, kjo ndjenjë sigurie u shkatërrua në Prishtinë kur një vajzë e re u sulmua seksualisht në mes të ditës. Ajo që do të duhej të ishte kohë kënaqësie e thjeshtë u shndërrua në makth të kobshëm jo vetëm për vajzën e sulmuar, por për çdo vajzë e grua që besonte se një park mund të jetë vend paqeje. Ngjarja ishte tronditëse jo vetëm për shkak të moshës së viktimës por edhe për faktin se disa nga autorët e sulmit ishin të mitur të cilët ishin në dijeni të moshës së saj.

     

    Indinjata e publikut u shtua edhe më kur u bë e ditur se vetëm dy muaj më parë, në qershor 2022, autoritetet kishin marrë informata se e njëjta vajzë ishte viktimë trafikimi, por nuk i kishin ofruar mbrojtje. Kjo neglizhencë e rëndë tronditi shoqërinë dhe shtyu shumë gra, burra, prindër e qytetarë të shqetësuar të dilnin rrugëve për të kërkuar llogaridhënie. Gra të panumërta ishin vrarë tashmë, e lajmi tronditës për vajzën e re ishte pikë kthimi – pika e fundit që mbushi kupën. Protesta në fjalë u shndërrua një nga më të zëshmet të viteve të fundit, me slogane dhe mesazhe të fuqishme të murosura e ngjitura anembanë qytetit  në denoncim të dështimit të institucioneve që i kishin lënë sërish gratë në baltë.

    Rita Berisha, një aktiviste feministe që iu bashkua protestës, shprehu zemërimin e shumë njerëzve duke thënë: “Duke e neglizhuar këtë rast (i referohet neglizhencës ndaj rastit të trafikimit të së njëjtës viktimë në qershor 2022), institucionet vetëm se e kanë vërtetuar atë që feministët e kanë argumentuar prej kohësh – se sistemi i drejtësisë ka dështuar ndaj grave.”

    Ndërsa Prishtina po përballej me tragjedinë e saj, një atmosferë e ngjashme frike e zemërimi po shpërfaqej në Beograd. Në fillimshtator të po të njëjtit vitit, Beogradin e kishte kapluar një atmosferë e pazakontë: një atmosferë frike. Për javë të tëra, mediat kishin raportuar për lirimin e një përdhunuesi recidivist e, në mediat sociale, fotot e tij duke lëvizur lirshëm nëpër qytet u bënë virale – të shoqëruara me paralajmërime për gratë që të shmangnin rrugë dhe lagje të caktuara që mund të rastiste të ishin pikërisht rruga apo lagjja ku ato jetonin. Gratë këshilloheshin të mos ktheheshin më këmbë vetëm në shtëpi orëve të vona dhe, nëse nuk kishin zgjidhje tjetër, të mbanin me vete sprej lotsjellës “për çdo rast”. Kulminacioni erdhi kur një tabloid i quajtur “Informer” njoftoi se do të realizonte një intervistë me përdhunuesin, në të cilën ai fliste lirshëm për krimet e kryera.

    Në kuadër të kolektivit joformal feminist “Solidaritet mes Grave” në Beograd, gratë këmbyen me njëra-tjetrën reagimet për intervistën. Me disa porosi që nisnin me “Le të dalim në rrugë nesër” u organizua një protestë dhe thirrja u shpërnda në rrjetet sociale. Ndonëse ishte ditë e mërkurë dhe thirrja për veprim ishte bërë vetëm një natë më parë, të nesërmen një grup i madh grash u mblodhën para zyrave të tabloidit. Demonstrata të tilla u mbajtën edhe katër herë të tjera, përfshirë një që u mbajt gjatë natës. Vendimi i medias për t’i dhënë hapësirë një përdhunuesi që ta përshkruante krimin e tij publikisht ishte dëshmi e qëndrimit çnjerëzor të mediave për sa i përket dhunës së meshkujve ndaj grave. Gratë kishin qëllim kundërshtimin e praktikave të dëmshme të mediave dhe kërkonin heqjen e intervistës për të parandaluar ritraumatizimin dhe viktimizimin. Për më tepër, protestat e mbajtura koinciduan me femicidin e 25-të në Serbi atë vit, ku një burrë vrau vajzën e tij dyvjeçare, lajm ky që u raportua gjithashtu në një mënyrë sensacionale.

    Numri i grave që mbushën rrugët gjatë pesë protestave të “Solidaritet mes Grave” ishte më i madhi i shënuar ndonjëherë në historinë e re të Serbisë. Nën brohorimat “Të sigurta! Të lira!” “Ju dëshirojmë revolucion të grave”, “Tërbim në rrugë! Drejtësi për gratë dhe vajzat!” dhe “Gratë të bashkuara në solidaritet”, ato dogjën pankarta me emrat e abuzuesve, zunë hapësirën, ndanë përvojat e tyre, qanë, u përqafuan e brohoritën së bashku. Ato e mbajtën çështjen e relativizimit të dhunës ndaj grave në media në qendër të vëmendjes për gati pesë javë. Protesta e fundit ishte më radikalja – objekti ku ndodheshin zyrat e Informerit u mbush me mbishkrime që flisnin për mllefin e grave.

    Këto protesta mishëruan ndjenjën e unitetit dhe, më konkretisht, solidaritetit mes grave. Organizatoret kishin përgatitur disa pankarta për të shprehur solidaritetin me gratë anembanë rajonit—një nga porositë, frymëzuar nga protesta në Prishtinë, thoshte: “Ako se plašiš mraka, zapalićemo i ovaj grad!” (Nëse ke frikë nga terri, do ia vëmë flakën këtij qyteti) të cilën një artiste e kishte ilustruar me imazhin e dorës së një gruaje duke ndezur flakën e rezistencës. Ishin përjetimet e frikës, mllefit dhe zhgënjimit ato që i përbashkuan gratë e mbarë rajonit. Protestat në Prishtinë dhe Beograd patën jehonë në marshimet në Bosnje dhe Hercegovinë, të organizuara si përgjigje ndaj një incidenti tragjik të transmetuar drejtpërdrejt në mediat sociale. Këto lëvizje iu drejtuan institucioneve me kërkesa për reagim sistematik dhe mbrojtje për gratë që përjetojnë dhunë.

    Nëse kërkojmë për historinë (e grave)…s’ka nevojë të kthehemi edhe aq prapa në kohë

    Kur na shkon mendja për të kaluarën, ajo shpesh na duket e largët, e paprekshme dhe e tëhuajtësuar prej së tashmes. Kjo e shkuar, ose të paktën ajo që rëndom mësohet në shkolla dhe për të cilën flitet në komunitetet tona, i jep fare pak hapësirë asaj që quhet histori e grave. Megjithatë, është pikërisht e kaluara e grave, e zbuluar përmes leximeve, mësimeve e diskutimeve rreth revoltës të tyre në të kaluarën, që ndez pishtarin e ndryshimit. Kështu, një prej protestave në Beograd kishte frymëzim të drejtpërdrejt ”Take Back the Night” – marshimet e grave gjatë natës, që datojnë nga viti 1975, kur marshimi i parë u organizua në Filadelfia si reagim ndaj një femicidi të kryer gjatë natës. Ideja është e thjeshtë: gratë i marrin rrugët gjatë natës, pikërisht në orët për të cilat u është tërhequr vërejtja që në moshë të re se janë të pasigurta, orë këto gjatë të cilave përbindëshat zënë pritë në errësirë. Pikërisht te kjo frikë e mësuar qëndron çelësi i socializimit të femrës, duke u mësuar vajzave të kenë frikë, por edhe të ndihen fajtore nëse “nuk e mbrojnë veten”. Një protestë e tillë e orëve të vona të natës u mbajt në Beograd në vitin 1995, ku gratë dolën rrugëve me llamba në duar, bënë zhurmë me instrumente të ndryshme dhe ndriçuan rrugën e tyre zëshëm, në kundërshtim të hapur të mësimeve se duhet të jenë të heshtura. E ngjashme ishte dhe porosia e protestës së 2022-tës: ne jemi të zhurmshme, të zemëruara dhe do i marrim në kontroll të njëjtat rrugë që ju na thoni se nuk janë të sigurta – ne do t’i bëjmë rrugët të sigurta për ne.

    Gratë vendore kanë treguar përherë vullnet për të luftuar me përkushtim për çështjet sociale. Sot, aktivizimi i tyre i vazhdueshëm është evident me protestat e përvitshme “Marshojmë, s’festojmë”, që trajtojnë shqetësimet aktuale si dhuna në familje dhe diskriminimi me bazë gjinore. Ky përkushtim daton që nga angazhimi i tyre gjatë konfliktit, për shembull protestës “Bukë për Drenicën” së 16 marsit 1998, e që vazhdoi edhe pas konfliktit me anëtarësimin e grave në parti politike, angazhimin në procese politike dhe themelimin e forumeve të grave, duke e dëshmuar kështu proaktivitetin e tyre për ta jetësuar dhe çuar përpara drejtësinë dhe barazinë sociale. Pavarësisht normave dhe presioneve patriarkale, gratë kanë qenë proaktive në nxitjen për drejtësi dhe barazi sociale.

    Ndërsa shqyrtojmë konceptin më të gjerë të asaj që quhet histori e grave dhe, në kuadër të saj, histori e lëvizjeve feministe, ajo çfarë do shpaloset janë një mori protestash, grevash e thirrjesh për “JO”. Qoftë në grupe të vogla apo në lëvizje masovike, qoftë në rrugë, në shkolla, autobusë e çfarëdo hapësirë ​​tjetër publike a private, gratë kanë luftuar. Historia e grave e ka zanafillën te rebelimi.

    Në këtë qëndismë, filli i përbashkët që na lidh është lufta e grave

    Kur mendojmë për protestat e grave në fund të vitit 2022, filli i përbashkët që i lidh është ajo që feministet e përshkruajnë si përvojë universale femërore, një ndjenjë e thellë e njohjes që gratë në mbarë botën bashkëndjejnë sa herë që dëgjojnë për përjetime dhune dhe/ose frikë prej saj, një mirëkuptim i thjeshtë dhe i pamohueshëm. Protestat në Prishtinë, Beograd e Sarajevë i përbashkuan gratë në ndjenjat e tyre të përbashkëta të lodhjes, zemërimit, zhgënjimit dhe frikës përballë problemeve urgjente si përdhunimi i një vajze të re, relativizimi i dhunës seksuale nga mediat, femicidet dhe pasiguria në hapësira publike e private.

    Rasti i vitit 2022 në Prishtinë ishte një pikë kthese që nxori me mijëra njerëz në rrugë për të kërkuar drejtësi dhe më shumë përgjegjësi nga autoritetet. Ai shkaktoi indinjatë të thellë te publiku, duke çuar në miratimin e shpejtë të ligjeve të reja të krijuara për të përmirësuar mbrojtjen e grave dhe vajzave dhe trysni te qeveria për dënime më të ashpra për kryerësit e krimeve seksuale dhe për të krijuar shërbime gjithëpërfshirëse mbështetëse për të mbijetuarat, përfshirë këshillim dhe ndihmë juridike.

    Përkundër pamjaftueshmërisë së reagimeve të menjëhershme sistematike pas demonstratave në Beograd, veprimet e këtilla u bënë pjesë e një lëvizjeje në rritje. Vitet vijuese sollën valë të reja të dëshmive të grave në sferën publike, që çuan në më shumë protesta – kundër femicideve në 2023 dhe dhunës obstetrike në 2024. Në maj të vitit 2024, studentet  e Fakultetit të Shkencave Politike protestuan kundër zgjedhjes së një dekani me histori ngacmimi të studenteve dhe ia dolën ta pengonin emërimin e tij. Sukses i ngjashëm përmes aktivizmit u korr edhe në Universitetin e Prishtinës. Pas denoncimeve të shumta për ngacmim seksual të studenteve, që dolën në shesh falë protestave dhe aktivizmit, Universiteti tashmë ka në zbatim një politikë zyrtare kundër ngacmimit seksual. Shembull tjetër është ai i shkarkimit të një profesori të dyshuar për ngacmim seksual në Universitetin e Prishtinës pas protestave të shumta të udhëhequra nga aktivistet e Lëvizjes Studentore Feministe.

    Nëse aspirojmë optimizmëm, atë do ta gjejmë pa ndonjë vështirësi pavarësisht mungesës së ndryshimeve sistematike. Me çdo akt të ngritjes së zërit, gratë i kanë rikthyer në qendër të vëmendjes së publikut problemet me të cilat përballen çdo ditë, duke ndërtuar njëkohësisht një formë të re të ndërgjegjes politike – atë që e çon betejën përpara.

    “Çika, revolta juaj na frymëzon”

    Siç u tha nga Jelena Rizniq, njëra nga anëtaret e kolektivit “Solidaritet mes Grave”, gjatë një proteste, “Kur mblidhen gratë, ndodh magjia”. Potenciali i një instance të vetme rebelimi të grave nuk kufizohet vetëm në momentin në të cilin ndodh, përkundrazi, magjia e tij shtrihet tutje, duke trasuar rrugën për gratë që e bënë atë hap të parë me rebelimin e tyre dhe duke lënë një trashëgimi për brezat e ardhshëm të grave e vajzave, një rrugë e karakterizuar nga revolta, lufta, forca e guximi. Me këtë në mendje, kujtesa kolektive e një të kaluare të tillë ndërton ndërgjegje politike në të tashmen që vazhdon të na frymëzojë për një të ardhme më të mirë, për një botë të përshtatur për gratë.

    Branka Bllizanac dhe Elona Matoshi

    Shtator, 2024

    Pikëpamjet e shprehura në këtë ese janë vetëm ato të autorit.

    The views expressed in this essay are solely those of the author.

    Të fundit

    të tjera