More

    Durimi i padurueshëm i gjuhës seksiste (online) ndaj grave

    Debati publik është zgjeruar pas popullarizimit të hovshëm të rrjeteve sociale në vitet e fundit. Kjo i ka dhënë forcë dhe përhapje dhunës virtuale ndaj integritetit seksual të grave me anë të komenteve seksiste. Ndërsa në një anë kemi tolerancë të habitshme institucionale, në tjetrën e kemi edhe të vërtetën ‘e fshehur’ të kësaj dhune: qëllimet dhe pasojat që ajo shkakton.   

    Për kohë shumë të gjatë, sfera publike është konsideruar gjerësisht si hapësirë e burrave. Në vendin tonë, si një simbol të keq shenjues të një konsiderate të tillë i kishim odat. Kanuni u jepte këtyre mjediseve një pushtet të pamatë në raport me hapësirat tjera publike që ishin shumë të ngushta. E në këto mjedise, gratë ishin në mënyrë thuajse direkte të përjashtuara.

    Për fat të mirë, odat janë përgjithësisht të dëbuara nga sfera publike – ose, thjesht e kanë humbur funksionin e hapësirave publike. Nuk kanë më ndonjë peshë në zhvillimin e debatit publik, jetës institucionale e politike të vendit. Por, fatkeqësisht ato vazhdojnë të jenë mbeturinat jo krejtësisht të hedhura që vazhdojnë kontaminimin e sferës publike.

    A u bë krejt sfera publike një ‘odë’?

    Edhe pse oda u përjashtua nga sfera publike, kjo e fundit në një mënyrë u bë një ‘odë’. Me ardhjen dhe më pas popullarizimin masiv të rrjeteve sociale të Internetit, sfera publike u zgjerua në përmasa të jashtëzakonshme. Papritmas, kushdo mund të ishte pjesë e debateve publike. Por, përkundër efekteve pozitive që mund t’i ketë në demokratizimin e shoqërisë tonë, ajo i çeli derën edhe bindjeve më monstruoze patriarkale që shprehet fatkeqësisht në baza të përditshme pa u penguar seriozisht nga askush.

    Platforma online “Facebook” është bindshëm më popullorja në Kosovë. Por, përkundër që popullarizimi i saj në vendin tonë ka më shumë se 10 vjet, ai vazhdon të mos merret aq seriozisht sa do të duhej nga ana e institucioneve të vendit. Veçanërisht shqetësues në këtë rrjet social është seksioni i komenteve, i cili nuk moderohet përgjithësisht nga askush, dhe ku derdhet vazhdimisht gjuha më e tmerrshme e urrejtjes në baza gjinore. Komentet e përditshme me gjuhë denigruese seksiste janë të panumërueshme. Nuk ka edhe më tej ndonjë rast në Kosovë ku ndonjë prej komenteve denigruese në baza seksiste (e ku nuk përfshihej seksizmi) është problematizuar institucionalisht. Komentuesit vazhdojnë t’i dhunojnë verbalisht gratë, e kjo dhunë verbale – ashtu si dikur edhe dhuna fizike – po konsiderohet gjerësisht si pjesë ‘e natyrshme’ e debatit publik.  Në një anë, një gjë e tillë e tregon mungesën e ndërgjegjësimit për pasojat psikologjike që ajo shkakton por në tjetrën anë e dëshmon pikërisht mos-përbrendësimin e duhur të vlerave liberale që e çuan shoqërinë tonë drejt dëbimit të odave si elemente thellësisht patriarkale.

    Pavarësisht se në pozitat udhëheqëse nuk janë të pranishme gratë po aq sa burrat, as në Kuvendin e Kosovës listat për deputetë nuk janë me numër të barabartë në mes të burrave dhe grave, e madje as komunat e Kosovës nuk udhëhiqen nga ndonjë grua, edhe ato të paktat gra që i kemi në pozitat udhëheqëse, mbahen përgjegjëse (duke u fyer, ofenduar…) për fjalët që nxerrin nga goja e tyre dhe për kundërshtimet që bëjnë nëpër media.

    Këtë mund ta ilustrojë rasti i deputetes Doarsa Kica Xhelili, e cila ishte e ftuar në një studio televizive dhe kishte përmendur zëvendësdrejtorin e asokohshëm të Radio Televizionit të Kosovës (RTK) Mentor Shalën, si zyrtar të RTK-së, meqenëse ajo ishte kryetare e Komisionit parlamentar për media dhe diskutimi kishte të bënte për televizionin publik. Deputetja pas deklaratës së saj, u përball me një reagim publik me një gjuhë seksiste nga zëvendësdrejtori i RTK-së, i cili përmes një postimi tha se “…Doarsa bukuroshja paska fol mbramë për prap për mu. Shumë bre ka qef me ma përmend emnin. Po më duket vetëm te unë e ka mendjen! A e caktojmë një takim Doarsë, për drekë a për darkë a? Që don i thrrasim edhe ato mikeshat e tua në RTK! Knaqemi edhe t’kallxoj krejt për RTK-në, edhe nime e kupton cka është RTK-ja! E miqt e RTK-së! Jo valla s’pi thrrasim! Kallxom, kur po dalim, Doarsë!”

    E njëjta, do të përballej më pas me gjuhë seksiste nëpër komente kur do të largohej nga grupi parlamentar i Vetëvendosjes për të kaluar në Lidhjen Demokratike të Kosovës.

    Në Kosovë, ka pasur raste të grave kur publikisht janë kërcënuar vetëm për shkak se e kanë shprehur mendimin e tyre publikisht.

    Analistja Zana Avdiu, e ka cilësur si të turpshëm dhe akt prej rrugaçi, veprimin e Granit Xhakës i cili u shpall lojtari më i mirë në ndeshjen Zvicër-Serbi në kuadër të Kupës së Botës, dhe një moment ai e kishte kapur organin gjenital duke ia “treguar” bankës rezervë të Serbisë.

    “Veç mos tpafsha live kam met myt…” është njëri nga komentet që ka marrë ajo, në mesin e shumë të tjerave, të cilat (disa nga to), i ka publikuar avokati i Zana Avdiut, Arianit Koci dhe për të cilat tha se rastet e tilla të kërcënimeve, janë denoncuar në Polici.

    Për këtë rast kanë reaguar edhe figura të njohura publike, duke ofenduar Avdiun për mendimin e saj. Një reagim më ekstrem, për të njëjtin rast që mund ta përmendim këtu, e ka bërë edhe psikologu i njohur Naim Telaku “Nëse doni ta kuptoni Zanën, lexojeni kompleksin e Elektras të Sigmund Freud. Zana është ilustrim përfekt i këtij kompleksi aka penis envy (lakmia për penis)”

     

    Pasojat

    Pasojat psikologjike janë studiuar e po studiohen vazhdimisht në vende të ndryshme të botës, sidomos për pasojat që shkaktojnë ndaj grupeve të lëndueshme shoqërore. Megjithatë, nuk do shumë mend për t’u kuptuar pasojat politike për një vend si Kosova ku jeta publike ishte për kohë të gjatë me një natyrë të ekskluzivitetit gjinor.

    Nëse përnjëmend besojmë në postulatin që thotë se “liria ime duhet të kufizohet me cenimin e lirisë së tjetrit”, atëherë kjo liri e tjetrit – e për rastin tonë gruas – është plotësisht e pakuptueshme. Mos-reagimi ndaj dhunës verbale të shprehur gjerësisht përmes komentesh në rrjete sociale e dëshmon qartazi një gjë të tillë. Në një anë, kemi shprehjen e lirë të qëndrimeve seksiste por në anën tjetër kemi cenimin direkt të lirisë së tjetrit përmes sulmit që prek dinjitetin dhe integritetin seksual personal të një filan gruaje.

    Kufizimi i lirisë, siç e dimë nga raste të ndryshme nëpër botë, nuk bëhet thjesht me anë ligjesh apo me anë të përdorimit arbitrar të forcave të rendit (ushtria, policia, gjykatësit etj). Kufizimi i lirisë bëhet edhe kur ligji dhe ligjzbatuesit i mbyllin sytë ndaj grupeve shoqërore të rrezikuara nga një gjë e tillë. Për fat të keq, dhuna ndaj grave në media, politikë dhe jetën publike përgjithësisht, vazhdon të ndodh gati krejtësisht e tolerueshme nga forcat e rendit që presupozohet ta ndalojnë.

    Zbërthimi i mëtejmë i dhunës ndaj grave na e zbulon edhe më tej thellësinë e vlerave patriarkale që ndryhen në të. Për shembull, numri i komenteve me bazë seksuale ndaj burrave është pakrahasueshëm më i vogël se ai ndaj grave. Përsëri, pra, e kemi seksin dhe përsëri i kemi gratë.

    Ky ekspozim i plotë i grave ndaj dhunës së tillë publike mund të çojë drejt heshtjes së shumë prej tyre, ose drejt zbehjes së vëllimit të angazhimit publik të shumë tjerave, por mund të çojë edhe në dekurajimin e shumë vajzave të reja në pjesëmarrjen në jetën publike. Veçse e shohim që numri i grave që përfshihen në debate publike është ndjeshëm më i vogël se sa ai i burrave. Po ashtu, edhe numri i grave të përfshira në një platformë edhe më të madhe siç është ajo e debateve televizive.

    Pse ndodh kjo?

    Është naive të mendohet se komentet që dhunojnë integritetin dhe dinjitetin seksual e personal të grave janë thjesht shfryrje të pafajshme pa prapavijë. Natyrisht, nuk ka ndonjë orkestrim apo organizim të tyre nga ndonjë grup i caktuar (megjithëse, kjo nuk mund të përjashtohet plotësisht, meqë në hapësirën shqipfolëse ka shumë sjellje inautentike dhe shumë profile të rreme). Por, dihet se fjalët që shprehen shtrihen brenda një seti të caktuar bindjesh. Komentuesit, duke e bërë sulmin e tyre në formë komenti, mësyjnë të asimilojnë moralisht gratë. Secili sulm që i bëhet individualisht një gruaje, përmes bindjeve seksiste mbi të cilat qëndron, është sulm ndaj secilës grua tjetër brenda shoqërisë tonë. Si i tillë, secili sulm që i bëhet me anë të një komenti seksist një gruaje të caktuar, ka natyrë politike pasi që mësyn të shtrijë e zgjatojë veten duke përmbysur çfarëdo mundësie për barazi gjinore.

    Shoqëria jonë ka ecur përpara – megjjithëse me hapa të ngadaltë – në vitet e fundit drejt emancipimit gjinor. Kjo lloj dhune patriarkale duket pikërisht protesta tepër e dëmshme dhe prapakthyese ndaj humbjes graduale të pushtetit nga liria dhe të drejtat e grave.

    Autore: Lularta Buja

    Pikëpamjet e shprehura në këtë ese janë vetëm ato të autorit.

    The views expressed in this essay are solely those of the author.

    Të fundit

    të tjera