More

    Sa është e rëndësishme mbrojtja e ambientit për të rinjtë e Kosovës

    Në një epokë ku shkenca vërteton ndryshimet e shpejta klimatike, është e qartë se sfidat për mjedisin tonë nuk mund të anashkalohen më. Megjithatë, për shumë prej nesh ndryshimet klimatike vazhdojnë të mbeten vetëm temë diskutimi shkencor, kur faktikisht ato janë realiteti që na rrethon dhe që duhet të përballohet me seriozitet dhe vigjilencë.

    Sipas raportit të publikuar në 2021-tën nga Paneli Ndërkombëtar për Ndryshimet Klimatike (IPCC AR6), tregon se temperatura mesatare globale është rritur rreth 1.1 grade celsius, rritja e nivelit të deteve ka arritur deri në 20 cm, emetimet globale, shkëputja e shpejtë e akullnajave dhe shkallëzimi i ngjarjeve ekstreme klimatike që përfshin stuhi të rënda, ngrohtësi dhe thatësirat ekstreme.

    Ndryshimet klimatike, sigurisht po vërehen vazhdimisht edhe në Kosovë. Duke u nisur nga ato që arrijm t’i shohim me sy e t’i ndjejmë me shqisa. Si stina e verës viteve të fundit, me temperatura të larta në rekord, dhe dimri pa borë.

    Por si i shohin këto sfida brezat e rinj?

    Në hulumtimin “Ndryshimet klimatike në kurrikulat e arsimit të lartë-CCHEC”, të realizuar nga profesori i Universitetit të Prishtinës, Zeqir Vesela, ku janë intervistuar 308 studentë nga zonat urbane dhe rurale, thuhet se: “Shumica e studentëve kanë vërejtur një përkeqësim të situatës mjedisore në nivel global dhe lokal, ndërsa janë të ndarë në dy grupe të barabarta se situata do të përkeqësohet repspektivisht përmirësohet në dekadën e ardhshme. Vetëm 50% e studentëve besojnë se ndryshimet klimatike po ndodhin dhe janë reale, ndërsa pjesa tjetër e studentëve nuk janë shumë të bindur.[1]

    Sipas këtij hulumtimi, një pjesë e madhe e studentëve kanë treguar keqkonceptime të thella, derisa një shumicë e madhe e studentëve mendojnë se ndryshimet klimatike po shkaktojnë ngrohjen globale e që në fakt është e kundërta.

    E në një intervistë për GenVox, studentja Valentina Istrefi, ka thënë se është e çuditshme se këto ndryshime klimatike shkaktohen kryesisht prej ndotjeve të ndryshme, por që mendon se faktori kryesor i ndotjeve është njeriu.

    Problemi kryesor është faktori njeri sepse vet njeriu përmes perdorimit të mjeteve të ndryshme apo burimeve të ndryshme natyrore në mënyrë të pakujdesshme shkakton ndotjen e ambientit, ndër këto ka edhe disa faktorë të tjerë si industria dhe urbanizmi. Ndotjet mund të jenë të pashmangshme por që mund të zvogëlohen në bazë të vetdijësimit dhe punës vullnet-mirë e cila mund të na çojë drejtë një sistemi më të mirë ekologjik. Duhet hartuar politika të rrepta për parandalimin e ndotjeve qe të kemi një jetë dhe një planet të shëndetshëm.”, u shpreh studentja Istrefi.

    E studentja Sara Mulliqi, shprehet se për të parandaluar ndotjet duhet të ndërmerren hapa për vetëdijësimin e njerëzve rreth pasojave.

    Një ndër masat e para që duhet të marrim për parandalimin e ndotjeve është vetëdijësimi i të gjitha grupmoshave rreth pasojave që ndotjet mund të kenë në vend dhe botë përmes broshurave, videove ilustruese etj. Një masë tjetër mjaft e rëndësishme është edhe gjobitja e individëve të cilët e ndotin ambientin pasi që kjo edhe mund të rrisë vëmendjen e qytetarëve për pasojat që do të vuajnë nëse ndotin ambientin”, thotë Mulliqi, në prononcimin e saj për GenVox.

    Por, ndryshimet klimatike janë si një pasqyrë që na tregon se si kemi trajtuar planetin tonë, kështu shprehet gazetarja Adeja Kurteshi, në një intervistë për GenVox. Derisa thekson se ndryshimet klimatike janë thirrje për veprim dhe për të krijuar një të ardhme më të qëndrueshme.

    Sa i përket ndalimit të ndotjeve, Kurteshi thotë: “Ndalimi i ndotjeve është një sfidë që kërkon krijimtari dhe bashkëpunim. Mund të fillojmë duke transformuar mënyrën se si mendojmë për mbeturinat nga diçka që hedhim, në diçka që mund të ripërdorim dhe riciklojmë. Inovacionet teknologjike, politikat e rrepta mjedisore dhe edukimi i publikut janë elemente kyçe. Çdo veprim i vogël, si përdorimi i çantave të ripërdorshme ose reduktimi i përdorimit të plastikës, kontribuon në ndërtimin e një kulture të re.”

    Ndryshimet klimatike të shkaktuara nga njeriu tashmë po prekin shumë motin dhe klimën ekstreme në çdo rajon anembanë globit. Kjo ka çuar në ndikime negative të përhapura dhe humbje, si dhe dëmet e lidhura me natyrën dhe njerëzit, thuhet në raportin e vitit 2023 të Panelit Ndërkombëtar për Ndryshimet Klimatike (IPCC).

    [1] https://www.researchgate.net/publication/379407622_Climate_Changes_in_Higher_Education_Curricula-CCHEC

    Autore: Fjolla Demaku

    Të fundit

    të tjera