More

    Kur rryma ndalet…:Jeta e qytetarëve në Kosovë mes varësisë nga energjia elektrike

    Ora është 10 e mëngjesit dhe Arditi, 27-vjeçar nga Prishtina, sapo ka hyrë në një takim online me kolegët e tij në Gjermani. Kamera është ndezur, dokumentet janë hapur në ekran dhe klienti pret prezantimin. Papritur, gjithçka fiket.

    Për disa sekonda mbetesh pa ditë çka me bo. Të ndalet interneti, laptopi fillon me u harxhu, klienti pret në anën tjetër. Për neve që punojmë remote, energjia elektrike nuk është luks, është bazë”, thotë ai.

    Në Kosovë, ku ekonomia po lidhet gjithnjë e më shumë me teknologjinë, energjia elektrike nuk është më vetëm çështje ndriçimi apo ngrohjeje. Ajo është baza mbi të cilën funksionojnë bizneset, puna online, arsimi, komunikimi dhe përditshmëria e qytetarëve.

    Nga interneti dhe puna remote, te ashensorët, pompat e ujit, ngrohja, pothuajse çdo aspekt i jetës moderne ndalet kur ndalet rryma.

    Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, mbi 99 për qind e ekonomive familjare në Kosovë kanë qasje në internet.

    Ndërkohë, raporti “Digital 2025: Kosovo” vlerëson se Kosova ka rreth 1.62 milion përdorues të internetit, ose 96.6 për qind të popullsisë. Kjo do të thotë se një pjesë e madhe e jetës sociale dhe ekonomike tashmë zhvillohet online.

    Por ndërsa jeta po bëhet gjithnjë e më digjitale, infrastruktura energjetike e vendit vazhdon të mbetet e brishtë dhe e varur kryesisht nga termocentralet me linjit.

    Varësia e Kosovës nga termocentralet me linjit dhe infrastruktura e vjetruar energjetike vazhdojnë të paraqesin rrezik për furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike”, thuhet në raportin e vitit 2025 të EBRD, ku përmenden edhe humbjet në rrjet dhe rritja e kërkesës për energji si faktorë që po ndikojnë në ekonominë e vendit.

    Bizneset që ndalen bashkë me rrymën

    Në lagjen “Dardania” në Prishtinë, një kafiteri e vogël mbetet në heshtje për pak minuta sapo energjia ndërpritet. Aparatet e kafesë ndalen, muzika fiket dhe klientët fillojnë të kontrollojnë telefonat për internet.

    Pronari i biznesit, Blerimi, thotë se ndërprerjet e energjisë nuk janë më vetëm bezdi të zakonshme.

    Për neve ndalet puna në momentin që ndalet rryma, interneti bie, frigoriferët ndalet, aparati kafesë nuk punon, nuk funksionojnë pagesat me kartelë. Edhe kur zgjat pak minuta, prapë krijon problem”, thotë ai.

    Ai tregon se gjatë dimrit situata bëhet edhe më e rëndë, sidomos në ditët kur konsumi rritet.

    Shumë procese sot varen prej energjisë. Kamerat, sistemi fiskal, porositë online, interneti. Nuk është më si dikur që veç ndizej një dritë”, përfundon ai.

    Edhe bizneset më të mëdha në Kosovë kanë paralajmëruar për ndikimin e kostove dhe pasigurisë energjetike. Gjatë vitit 2025, qindra kompani protestuan kundër rritjes së çmimit të energjisë elektrike dhe ndryshimeve në tregun energjetik. Bizneset paralajmëruan se faturat e energjisë mund të rrezikojnë funksionimin e shumë kompanive të vogla dhe të mesme.

    Kosova vazhdon të prodhojë mbi 90 për qind të energjisë elektrike nga termocentralet me qymyr, ndërsa gjatë periudhave me mungesë prodhimi detyrohet të importojë energji me çmime të larta.

    Një ekonomi që po lidhet me punën online

    Në Gjilan, 24-vjeçarja Diellza punon si dizajnere grafike për klientë nga Belgjika dhe Zvicra. Ajo thotë se ndërprerjet e energjisë janë bërë pjesë e stresit të përditshëm.

    Kam qenë në mes të takimeve me klientë dhe më është fikur krejt sistemi. Për njerëzit jashtë Kosovës kjo duket joprofesionale, edhe pse nuk është diçka që e kontrollon vetë”, thotë ajo.

    Për këtë arsye, ajo ka blerë pajisje rezervë dhe internet mobil.

    Je detyruar me mendu gjithmonë çka nëse ndalet rryma.”

    Rritja e sektorit të teknologjisë dhe shërbimeve online po e lidh gjithnjë e më shumë ekonominë e Kosovës me energjinë elektrike. Sipas raportit Kosovo IT Barometer 2025, kompanitë kosovare të ICT-së po integrohen gjithnjë e më shumë në tregjet ndërkombëtare përmes outsourcing-ut dhe eksportit të shërbimeve digjitale.

    Për shumë të rinj, laptopi dhe interneti tashmë janë vendi i punës. Por funksionimi i tyre varet nga një sistem energjetik që ende përballet me probleme të vjetra.

    “Mbetesh si i bllokum”

    Në një ndërtesë banimi në Fushë Kosovë, 68-vjeçarja Shpresa thotë se ndërprerjet e energjisë ndikojnë sidomos te njerëzit e moshuar.

    Kur ndalet rryma, mbetesh si i bllokum. Ashensori nuk punon, ndonjëherë ndalet edhe uji, s’ke as nxemje. Për neve ma të moshuarit është problem”, thotë ajo.

    Ajo kujton se reduktimet dikur ishin shumë më të gjata, por thotë se frika nga dimri ende ekziston.

    Sa vjen dimri, njerëzit tuten mos po kthehen reduktimet.”

    Edhe Albani, 31-vjeçar nga Prizreni, thotë se vetëm kur ndalet energjia e kupton sa shumë varet jeta prej saj.

    Sot gjithçka lidhet me energjinë. Interneti, telefoni, puna, pagesat, pajisjet në shtëpi. Vetëm kur ndalet e kupton sa shumë je varur prej saj.”

    Sipas raportit të vitit 2025 të Komunitetit të Energjisë, Kosova vazhdon të përballet me sfida në sigurimin e furnizimit të qëndrueshëm me energji dhe me nivel të lartë të varfërisë energjetike tek qytetarët.

    Një varësi që po rritet

    Në Kosovë, energjia elektrike nuk lidhet më vetëm me dritat apo pajisjet shtëpiake. Ajo është bërë baza e ekonomisë digjitale dhe jetës moderne.

    Nga bizneset që funksionojnë me pagesa elektronike, te të rinjtë që punojnë online për kompani jashtë vendit, gjithçka lidhet me stabilitetin e energjisë elektrike.

    Dhe ndoshta pikërisht aty shihet më qartë sa shumë ka ndryshuar jeta në Kosovë: një ndërprerje e rrymës nuk nënkupton më vetëm errësirë. Për shumë njerëz, ajo nënkupton punë të humbur, biznes të ndalur dhe një ditë të tërë në pauzë./GenVox.org

     

    This article was supported through the “GenVox Green Corner” project, funded by the Youth Empowerment Fund under The Global Youth Mobilization (GYM), a global initiative of the Big Six youth organizations alliance, with the IFRC serving as the custodian organization. The content of this article is the sole responsibility of the author and does not necessarily reflect the views of the supporting organizations.

     

    Të fundit

    të tjera