More

    Rrjetet sociale dhe trendet e kursimit: Nga ‘air fryer’ te pajisjet smart që po hyjnë në shtëpitë kosovare

    Kur e bleva air fryer-in, nana më tha: ‘Veç edhe një pajisje kot për kuzhinë’. Tash është ajo që e përdor më së shumti”, thotë duke qeshur 24-vjeçarja Arta Haxhiu nga Prishtina, teksa përgatit darkën pas pune.

    Në TikTok dhe Instagram, videot për truke të përditshme apo “life hacks” që kursejnë energji janë bërë pothuajse pjesë e rutinës së përditshme. Nga fritezat me ajër të njohura si “air fryer”, llambat smart, prizat inteligjente, e deri te pajisjet që kontrollohen me telefon, të rinjtë në Kosovë po eksperimentojnë gjithnjë e më shumë me mënyra të reja për të kursyer para, sidomos pas debatit të madh për faturat e energjisë elektrike viteve të fundit.

    Të njëjtën ide për kursim e kishte pasur edhe 25-vjeçarja Diellza Berisha nga Prishtina, e cila thotë se fillimisht nuk ishte shumë e bindur nëse pajisjet që promovohen në TikTok funksionojnë realisht në jetën e përditshme.

    E bleva më shumë prej kureshtjes, se nonstop po më dilshin video për air fryer”, tregon ajo, duke e nxjerrë darkën nga pajisja që tashmë e përdor pothuajse çdo ditë. “Po sinqerisht, furën elektrike mezi e ndezi ma. Për dy persona, kjo kryen punë shumë ma shpejt”, shprehet ajo.

    Kjo vjen edhe pas debatit të madh publik për energjinë elektrike në Kosovë gjatë viteve të fundit. Në vitin 2025, ZRRE kishte miratuar rritje prej 16.1% të tarifave të energjisë elektrike. Megjithatë, për vitin 2026, ZRRE ka njoftuar se tarifat nuk do të rriten.

    Sipas njoftimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji, edhe pse gjatë vitit 2026 pritet më shumë import i energjisë për shkak të reduktimit të prodhimit vendor, është propozuar një mekanizëm që shmang rritjen e menjëhershme të çmimeve për konsumatorët familjarë.

    Por pavarësisht mungesës së rritjes këtë vit, frika nga faturat e larta duket se ka ndryshuar mënyrën si të rinjtë mendojnë për pajisjet shtëpiake.

    Nuk e kam ble për luks”, thotë 22-vjeçari Arlindi nga Fushë Kosova, duke folur për një prizë smart që e kontrollon nga telefoni. “Veç më ka ndodh shpesh me harru bojlerin ndezë. Tash e shoh prej telefonit edhe e nal…”, tregon ai.

    E studentët që jetojnë bashkë në banesa me qira faturat i kanë po ashtu të përbashkëta, dhe për uljen e tyre duket se po kërkojnë zgjidhje.

    Në banesën ku jetojmë katër studenta, debati ma i madh nuk është kush i lan enët”, thotë studenti 20-vjeçar, Graniti nga Prizreni. “Debati është kush e ka lon klimën ndezë.”

    Ai tregon se gjatë verës së kaluar, pasi faturat u rritën ndjeshëm për shkak të përdorimit të klimës, banesa e tyre vendosi “rregulla”.

    E kemi bo si marrëveshje: klima nuk ndizet kur s’ka njeri në banesë. Edhe temperaturën s’e ulim ma poshtë se 24 gradë, se përndryshe punon nonstop. Krejt këto i kemi mësu prej videove në TikTok e YouTube”, tregon ai.

    Edhe pajisje të tjera të vogla po bëhen pjesë e kësaj rutine të re kursimi. Nga llambat LED që ndizen me sensorë, te prizat smart që e ndalin karikuesin automatikisht, shumë të rinj po provojnë metoda që dikur dukeshin të panevojshme.

    Ma herët e lija laptopin në rrymë krejt natën pa mendu hiq”, thotë 23-vjeçarja Rinesa Ramadani nga Ferizaj. “Tash e kam një smart plug që e nal vet pas disa orësh. Nuk e di sa euro po kursej, po të paktën s’kom stres që kam harru diçka ndezë.”

    Në rrjete sociale, sidomos në TikTok, videot me këshilla për pajisje të lira për kursim të energjisë (“cheap energy-saving gadgets”) apo truke për banesa studentore (“student apartment hacks”) marrin mijëra shikime. Shumë prej tyre fokusohen pikërisht te pajisjet që përdorin më pak energji ose ndihmojnë në kontrollimin e konsumit në shtëpi.

    Në fund, shumë prej këtyre trendeve që nisin si video 30-sekondëshe në TikTok, po kthehen gradualisht në zakone reale. Jo domosdoshmërisht sepse të rinjtë në Kosovë janë fiksuar pas teknologjisë smart, por sepse kursimi, për një pjesë të madhe të tyre, është bërë pjesë e rutinës së përditshme.

    Në nivel global, trendi i pajisjeve që kursejnë energji po rritet me shpejtësi. Sipas analizave të tregut ndërkombëtar, shitjet e air fryer-ëve vazhdojnë të rriten çdo vit, të nxitura nga kërkesa për gatim më praktik, më të shpejtë dhe me konsum më të ulët të energjisë. Tregu global i air fryer-ëve pritet të arrijë mbi 20 miliardë dollarë deri në vitin 2034, me rritje të vazhdueshme nga viti në vit, kjo sipas Fortune Business Insights.

    Rritje po shënon edhe tregu i pajisjeve smart për shtëpi. Sipas raporteve të industrisë europiane të pajisjeve shtëpiake, konsumatorët po orientohen gjithnjë e më shumë drejt pajisjeve efikase dhe teknologjive që ulin konsumin e energjisë. Vetëm tregu europian i pajisjeve shtëpiake pritet të arrijë mbi 140 miliardë dollarë deri në vitin 2033.

    Edhe studimet mbi efikasitetin energjetik tregojnë se pajisjet moderne mund të kenë ndikim real në uljen e konsumit. Sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA), pajisjet shtëpiake mund të konsumojnë deri në 25% më pak energji deri në vitin 2030 falë teknologjive më efikase dhe standardeve të reja energjetike.

    Në Evropë, kompanitë prodhuese po investojnë gjithnjë e më shumë në pajisje me etiketa më të larta të efikasitetit energjetik. Shoqata Europiane e Industrisë së Pajisjeve Shtëpiake (APPLiA) vlerëson se efikasiteti energjetik i pajisjeve është rritur me rreth 30% krahasuar me vitin 2000.

    Sa i përket Kosovës, të dhënat specifike për përdorimin e pajisjeve smart mbeten të kufizuara, pasi institucionet nuk publikojnë statistika të detajuara për këto kategori. Megjithatë, dokumentet strategjike të sektorit të energjisë dhe politikat për efikasitet energjetik vazhdojnë të promovojnë përdorimin e pajisjeve me konsum më të ulët dhe reduktimin e shpenzimeve familjare për energji.

    Në praktikë, trendi duket se po hyn gradualisht edhe në jetën urbane në Kosovë jo vetëm si “trend TikTok-u”, por si pjesë e një kulture të re kursimi, sidomos te të rinjtë që jetojnë vetëm, me qira apo ndajnë banesa me studentë e shokë./GenVox.org

     

    This article was supported through the “GenVox Green Corner” project, funded by the Youth Empowerment Fund under The Global Youth Mobilization (GYM), a global initiative of the Big Six youth organizations alliance, with the IFRC serving as the custodian organization. The content of this article is the sole responsibility of the author and does not necessarily reflect the views of the supporting organizations.

    Të fundit

    të tjera