More

    Të rinjtë në Kosovë, dy herë më shumë gjasa të jenë të papunë krahasuar me të rriturit

    Kosova, vendi me popullsinë më të re në Evropë, vazhdon ta ketë papunësia e të rinjve problem serioz dhe sfidë për të ardhmen e vendit. Sipas të dhënave të fundit nga Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), situata është alarmante, duke reflektuar një realitet ku të rinjtë kanë gjasa më të larta për të qenë të papunë krahasuar me të rriturit

    Në tremujorin e tretë të vitit 2023, të rinjtë në Kosovë kishin gjasa dy herë më shumë të jenë të papunë krahasuar me të rriturit”, thuhet në raport.

    Në mesin e personave të moshës 15-24 vjeçare dhe në fuqinë punëtore, 16.7% ishin të papunë. Kjo shifër është edhe më e lartë për femrat e reja, ku papunësia arrin në 23.5%, krahasuar me 12.8% për të rinjtë meshkuj.

    Ndërkaq, një e treta e personave të moshës 15 deri 24 vjeçare në Kosovë nuk ishin në shkollim, punësim apo trajnim (NEET), me 35.8% për femrat e reja dhe 34.2% për të rinjtë meshkuj.

    Dallimet Gjinore

    Pothuajse dy të tretat e popullsisë së Kosovës janë në moshë pune (15-64 vjeç), nga kjo popullsi në moshë pune, 59.1% nuk janë ekonomikisht aktivë. Kjo do të thotë se ata nuk janë të punësuar dhe nuk kanë qenë aktivë në kërkim të punësimit gjatë katër javëve të kaluara dhe/ose nuk janë të gatshëm të fillojnë punë brenda dy javësh.

    Nga ana tjetër, nga 40.9% e popullsisë që është ekonomikisht aktive, 10.6% janë të papunë.

    Të dhënat e ASK-së zbulojnë gjithashtu dallime të mëdha gjinore në tërë tregun e punës.

    Vetëm një në pesë femra në moshë pune janë aktive në tregun e punës, krahasuar me tri të pestat e meshkujve në moshë pune. Papunësia është më e lartë për femrat (18.6%) krahasuar me meshkujt (7.0%).

    Shkalla e punësimit në mesin e femrave në moshë pune është vetëm 20.2%, krahasuar me 53.9% për meshkujt. Kjo situatë rrjedh nga kombinimi i pjesëmarrjes shumë të ulët të femrave në fuqinë punëtore dhe papunësisë së lartë.

    Sektorët e punësimit dhe puna me orar të plotë dhe të pjesshëm

    Femrat janë kryesisht të punësuara në sektorët e tregtisë, arsimit dhe shëndetësisë, duke përbërë 55.1% të femrave të punësuara. Meshkujt, ndërkohë, janë kryesisht të punësuar në sektorët e tregtisë, ndërtimtarisë dhe prodhimit, duke përbërë 46.6% të meshkujve të punësuar.

    Pjesa më e madhe e të punësuarve raportojnë të punojnë me orar të plotë (93.9%). Arsyet për të punuar me orar të pjesshëm dallojnë midis gjinive, ku gratë shpesh reduktojnë orët për shkak të përgjegjësive familjare, ndërsa meshkujt raportojnë mungesën e një pune me orar të plotë si arsye kryesore.

    Situata e punësimit në Kosovë, veçanërisht për të rinjtë, është një problem kompleks që kërkon vëmendje të veçantë nga institucionet shtetërore. Me një popullsi kaq të re dhe potencial të madh për zhvillim, është thelbësore të krijohen mundësi të reja për punësim dhe trajnim, në mënyrë që të rinjtë të mund të kontribuojnë në mënyrë efektive në zhvillimin e vendit./GenVox

    Të fundit

    të tjera