More

    Ndikimi i rrjeteve sociale në konsum: A po blejmë më shumë seç na duhet?

    “Nuk hyj në Instagram me ble diçka, por shpesh përfundoj duke porositur.”

    Kështu e nis rrëfimin 21-vjeçarja Era nga Prishtina, e cila thotë se gjatë dy viteve të fundit ka filluar të blejë më shpesh online, jo vetëm rroba apo kozmetikë, por edhe pajisje që, siç thotë vetë, “i ka parë trending”.

    E sheh një video në TikTok, pastaj një reklamë në Instagram, pastaj të del prapë. Edhe pa e kuptu, të krijohet ndjenja që të duhet,” thotë ajo.

    Në Kosovë, blerjet online janë bërë pjesë e zakonshme e jetës së përditshme, sidomos për të rinjtë. Nga rrobat dhe aksesorët, deri te dekorimet apo produktet “viral” nga TikTok-u, rrjetet sociale po ndikojnë gjithnjë e më shumë jo vetëm në atë çfarë blejmë, por edhe në mënyrën si e kuptojmë konsumimin.

    Por derisa reklamat online dhe trendet digjitale po e bëjnë konsumimin më të shpejtë dhe më të lehtë, ekspertët paralajmërojnë se kjo kulturë po lidhet gjithnjë e më shumë me mbikonsum, mbeturina dhe ndikime mjedisore.

    Sipas raportit “Digital 2025: Kosovo”, mbi 54 për qind e përdoruesve të internetit në Kosovë përdorin të paktën një rrjet social, ndërsa Instagrami dhe Facebook-u mbeten ndër platformat më të përdorura. Vetëm Instagrami kishte rreth 626 mijë përdorues në Kosovë në fillim të vitit 2025.

    Kjo prani e lartë online ka krijuar një terren të favorshëm për reklamat digjitale dhe marketingun përmes influencuesve.

    Ka raste kur blej diçka vetëm pse ma ka shfaqë vazhdimisht algoritmi,” thotë Erioni, 24 vjeç nga Ferizaj.

    Sidomos produktet e lira nga aplikacionet online. Në moment duken si ofertë e mirë, por më vonë e kupton që shumicën nuk i përdor fare”, vazhdon ai.

    24 vjeçari thotë se gjatë vitit të fundit ka bërë disa porosi impulsive për produkte që i kishte parë në TikTok, përfshirë dekorime për dhomë, pajisje teknologjike, parfume dhe veshje “trending”.

    Nganjëherë është më shumë ndjenja që po humb diçka nëse nuk e blen,” shton ai.

    Psikologët dhe studiuesit e sjelljes së konsumatorëve prej kohësh kanë paralajmëruar për ndikimin që kanë reklamat në rrjete sociale në vendimmarrje, sidomos tek të rinjtë. Një studim mbi reklamat në Instagram thekson se reklamat në rrjete sociale ndikojnë drejtpërdrejt në vetëdijen për markat dhe në sjelljen konsumuese të përdoruesve.

    Por ndikimi nuk ndalet vetëm tek blerja.

    Sipas Agjencisë Evropiane të Mjedisit (EEA), rritja e blerjeve online dhe kultura e “fast fashion” po kontribuojnë ndjeshëm në rritjen e mbetjeve tekstile në Evropë. Agjencia vlerëson se mes 4 dhe 9 për qind e produkteve tekstile në Evropë shkatërrohen pa u përdorur fare.

    Edhe pse Kosova nuk ka statistika të detajuara për ndikimin mjedisor të blerjeve online apo mbetjeve nga “fast fashion”, organizatat ndërkombëtare po paralajmërojnë se modeli i konsumimit “blej, përdor, hidhe” po bëhet gjithnjë e më problematik edhe për vendet e vogla.

    Në Francë, debati për ndikimin e “ultra-fast fashion” ka kaluar tashmë nga rrjetet sociale në institucionet shtetërore. Gjatë vitit 2025, Senati francez mbështeti një projektligj që synon të kufizojë reklamat për platformat si Shein dhe Temu, si dhe të vendosë masa financiare ndaj modeleve të biznesit që bazohen në prodhim masiv dhe konsum të shpejtë. Ligjvënësit francezë argumentuan se kompani të tilla po nxisin “konsumim të tepërt dhe ndotje të panevojshme”, duke sjellë mijëra produkte të reja online çdo ditë.

    Reagimet nuk kanë ardhur vetëm nga politika. Në Paris dhe qytete të tjera franceze, organizata ambientaliste dhe qytetarë kanë protestuar kundër zgjerimit të markave të “fast fashion”, duke i lidhur ato me kulturën e konsumit të tepërt dhe rritjen e mbetjeve tekstile. Kritikat janë fokusuar sidomos tek modeli i marketingut në rrjete sociale, ku trendet ndryshojnë vazhdimisht dhe produktet promovohen si të “domosdoshme” vetëm për disa ditë apo javë.

    Në rrjete sociale, debati për mbikonsumimin po bëhet gjithashtu më i dukshëm. Në forume online dhe diskutime publike, shumë përdorues po kritikojnë kulturën e konsumit të shpejtë dhe produktet “viral” që promovohen çdo ditë. Në një diskutim viral në Reddit, një përdorues shkruante: “Prioriteti i parë duhet të jetë të blejmë më pak gjëra.”

    E në Kosovë, për 26-vjeçaren Bleona nga qyteti i Gjilanit, kjo është diçka që ka filluar ta kuptojë kohëve të fundit.

    “Kam filluar me e pyet veten a po e blej diçka pse më duhet, apo vetëm pse po ma shfaqin nonstop,” thotë ajo.

    Ajo tregon se së fundmi ka nisur të blejë më rrallë dhe të përdorë më shumë dyqane që shesin produkte të dorës së dytë të njohura si “second-hand”.

    Ndoshta nuk mund ta ndryshojmë krejt sistemin, por mund të jemi më të vetëdijshëm për mënyrën si konsumojmë”, thotë ajo.

    Ekspertët e ekonomisë qarkulluese thonë se konsumimi i përgjegjshëm nuk nënkupton ndalimin e blerjeve, por zgjedhje më të vetëdijshme: përdorim më të gjatë të produkteve, ripërdorim, riparim dhe shmangie të blerjeve impulsive.

    Në një kohë kur algoritmet po konkurrojnë për vëmendjen e përdoruesve dhe reklamat po bëhen gjithnjë e më të personalizuara, pyetja nuk është vetëm çfarë po blejmë, por nëse po blejmë sepse kemi nevojë, apo sepse dikush na ka bindur se kemi nevojë./GenVox.org

     

    This article was supported through the “GenVox Green Corner” project, funded by the Youth Empowerment Fund under The Global Youth Mobilization (GYM), a global initiative of the Big Six youth organizations alliance, with the IFRC serving as the custodian organization. The content of this article is the sole responsibility of the author and does not necessarily reflect the views of the supporting organizations.

     

    Të fundit

    të tjera