Në fund të marsit, GenVox pati mundësinë të marrë pjesë në një workshop frymëzues të mbajtur në Tilburg, Holandë, i organizuar në kuadër të programit evropian YOCO JOIN (Youth Community Journalism Immersion Network) nga Omroep Tilburg dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë. Ky aktivitet tre-ditor, i zhvilluar nga data 27 deri më 29 mars, bashkoi gazetarë të rinj nga vende të ndryshme të Evropës për të reflektuar mbi përfshirjen e të rinjve në media dhe fuqizimin e zërit të tyre përmes gazetarisë lokale.
Punimet e workshopit u zhvilluan në LocHal, një ish-depo industriale e transformuar në bibliotekë moderne dhe qendër inovative, e cila shërbeu si hapësirë ideale për diskutime të hapura, prezantime dhe punëtori bashkëpunuese.
Workshopi u nda në disa sesione dinamike. Dita e parë nisi me një fjalim frymëzues nga nënkryetari i komunës së Tilburgut, Yusuf Çelik, përgjegjës për politikat mediatike. Ai foli për strategjitë e qytetit për të mbështetur mediat lokale, duke veçuar shembullin e Omroep Tilburg, transmetuesi zyrtar komunal, si një model suksesi për promovimin e demokracisë lokale, lirisë së shprehjes dhe kohezionit social.
Pjesëmarrësit, përfshirë ekipin e GenVox, diskutuan mbi sfidat dhe mundësitë që të rinjtë hasin në raport me median, duke mësuar më shumë mbi qasjen e YOCO JOIN për të fuqizuar gazetarinë lokale përmes përvojave praktike, bashkëpunimit ndërkulturor dhe projekteve kreative.
Dita e dytë ishte më praktike dhe eksperimentale. Ajo përfshiu një vizitë në MindLabs, një qendër ku bashkëjetojnë startup-e, institute kërkimore dhe institucione arsimore. Në këtë ambient inovativ, pjesëmarrësit patën mundësinë të takohen me përfaqësues nga Fontys School of Journalism. Aty u diskutua se si teknologjia, storytelling-u dhe edukimi ndërthuren për të krijuar forma të reja të gazetarisë bashkëkohore.
Një moment i veçantë ishte pjesëmarrja në xhirimet e emisionit “TilbuZz”, një talk-show i njohur që transmetohet nga Omroep Tilburg. Përmes kësaj eksperience, pjesëmarrësit panë nga afër procesin e prodhimit të përmbajtjes mediatike që ka në fokus komunitetin lokal.
Në ditën e fundit, përfaqësuesit e Media Diversity Institute, rrjetit Press Kids, dhe të tjerë ndanë shembuj konkretë të projekteve që kanë fuqizuar zërin e të rinjve në nivel lokal dhe evropian. GenVox përfitoi nga këto sesione për të reflektuar mbi qasjet që mund të aplikohen në Kosovë, duke u fokusuar në krijimin e përmbajtjes që i flet drejtpërdrejt të rinjve dhe i fton ata të bëhen bashkëkrijues të saj.
Pjesëmarrja në këtë workshop shënon një hap të rëndësishëm për GenVox drejt ndërtimit të një gazetarie më përfshirëse, të ndjeshme ndaj zërave të rinisë dhe të orientuar drejt ndikimit në komunitet.